Peniani: SHBA do të kenë më shumë dhurata nëse vazhdojnë provokimet
Koreja e Veriut ka deklaruar se nisja e fundit e raketave dhe masat e tjera vetëmbrojtëse ishin një “paketë dhuratë” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se dhurata të tilla janë në rrugë nëse Uashingtoni vazhdon “provokimet e tij të pamatura”.
“Masat e fundit të vetëmbrojtjes nga vendi im, DPRK-ja, janë një paketë dhuratë e drejtuar për askënd tjetër, përveç SHBA-ve”, tha Han Tae, ambasadori i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara, gjatë një fjalimi në Konferencën e sponsorizuar nga OKB mbi çarmatimin të martën. “SHBA do të marrin më shumë paketa dhuratë nga vendi im për sa kohë që mbështetet në provokime të pakujdesshme dhe përpjekje të kota për të ushtruar presion mbi ne”, vazhdoi ai. Deklaratat e Han Tae vijnë vetëm dy ditë pasi Koreja e Veriut kreu testin e gjashtë dhe më të fuqishëm bërthamor, duke testuar një bombë me hidrogjen që mund të mbartet nga një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM). Bomba me hidrogjen ka aftësi të madhe shpërthyese deri në qindra kilotonë dhe mund të shpërthejë edhe në lartësi.