Trump kundërshtohet ashpër në lidhje me anulimin e skemës "Daca"
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, ka reaguar pas shfuqizimit të skemës Daca për mbrotjen e të rinjve emigrantë.
Sipas tij, ky vendim i administratës Trump është i gabuar dhe ish-Presidenti i kërkon Kongresit të mbrojë të rinjtë dhe të ardhmen e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka sulmuar administratën Trump për eleminimin e skemës së tij për mbrojtjen e të rinjve emigrantë e të padokumentuar. Programi i Shtyrjes së Veprimit për të Rinjtë Emigrantë të Ardhur, i njohur si Daca, u shfuqizua një ditë më parë dhe mendohet se mund të prekë rreth 800,000 përfitues. Edhe pse përfituesit aktualë nuk do të shohin efekte të këtij shfuqizimi për të paktën 6 muaj, Shtetet e Bashkuara tashmë nuk do të lejojnë më aplikime të reja. Në një apel drejtuar Kongresit, ish-presidenti Obama e konsideroi vendimin si “mizor” dhe “të gabuar”. “Është e gabuar të shënjestrosh të rinjtë – sepse ata nuk kanë bërë asgjë të gabuar. Në fund të fundit, kjo ka të bëjë me mirësjelljen themelore. Ka të bëjë me faktin nëse jemi njerëz që i përjashtojmë të rinjtë premtues apo nëse i trajtojmë siç duam që të trajtohen fëmijët tanë,” shkroi mes të tjerash ish-Presidenti në një postim të gjatë në faqen e tij zyrtare në Facebook. Sipas Obamës, tashmë përgjegjësia për çështjen ka kaluar nga Shtëpia e Bardhë tek Kongresi dhe anëtarët e kësaj të fundit duhet t’i mbrojnë të rinjtë dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, administrata Trump, e ka konsideruar programin si jo-kushtetues, pasi për miratimin e tij Obama nuk përfilli Kongresin. Presidenti Trump tashmë është i gatshëm të bashkëpunojë me Kongresin për të sjellë një reformë të re për emigracionin, duke vendosur shtetasit amerikanë në plan të parë.