Uragani Irma dhe paralajmërimet për shkatërrime në Amerikën Latine
Uragani Irma është përplasur me ishujt Turks dhe Caicos, pasi mbolli shkatërrim në mbarë Karaibet e vrau të paktën 14 vetë.
Fuqia e erërave të uraganit ka rënë lehtë nga 295 në 270 km/h, por stuhia e kategorisë së pestë, një ndër më të fuqishmet e regjistruara ndonjëherë, vazhdon të godasë pa mëshirë çdo gjë në rrugën e saj. Pasi rrafshoi Barbudën dhe pjesë të St. Martin, Irma kërcënon ishujt Bahamas me përsëritje të skenarit të ferrit dhe ngritje të nivelit të detit deri në 6 metra mbi normalen. Frika për jugun e Floridës po shtohet gjithmonë e më shumë. Trajektorja e uraganit po lëviz duke e vendosur Majemin në pozicionin më të keq të mundshëm. E gjithë ajo zonë, sipas metereologëve, mund ta gjejë veten këtë fundjavë në syrin e stuhisë, edhe pse disa prej modeleve kompjuterike e projektojnë lëvizjen e uraganit më tepër në skajin perëndimor, çka jep një farë shprese se një pjesë e rajonit mbase do të kursehet nga një tërbim maksimal i motit. Autoritetet megjithatë po përgatiten për më të keqen. “Pavarësisht se në cilin breg të Floridës jetoni, përgatituni për evakuim”, deklaroi të enjten guvernatori i këtij shteti, Rick Scott.