Uragani Irma godet Kubën, destinacioni tjetër është Florida
Uragani Irma po mësyn tashmë mbi Kubën, me erëra të fuqishme dhe reshje të dendura, pasi shkatërroi disa ishuj të Karaibeve.
Stuhia e kategorisë së pestë zbarkoi në Arkipelagun Kamaguej në bregun veri-lindor, duke kërcënuar qytetet bregdetare dhe fshatrat përreth. Për Kubën, kjo është hera e parë në dekada që një uragan kaq i fuqishëm godet ishullin. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganëve në Shtetet e Bashkuara, Irma solli erëra që arrinin një shpejtësi deri në 257 km/h. Disa komunitete janë tashmë pa energji elektrike dhe komunikimi me zonat e largëta po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Banorët shpresojnë se stuhia do të kalojë vetëm përciptazi në ishull, përpara se t’i drejtohet Floridës. Edhe kështu, pritet që Kuba të përjetojë përmbytje dhe erëra të furishme në shumë zona të populluara. Të paktën 20 persona përqark Karaibeve dihet se kanë humbur jetën deri më tani për shkak të shkatërrimit të sjellë nga Irma. Bahamasi ka mundur t’i shpëtojë mësymjes së uraganit që të dielën pritet të godasë Floridën. Rreth 5,6 milionë personave atje, i është kërkuar të largohen ndërkohë që stuhia afrohet. Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se Irma mund të “shkretojë” Floridën ose shtetet pranë. Ndërkaq, meteorologët thonë se stuhia Jose e krijuar në Atlantik po ndjek të njëjtën rrugë si Irma. Jose është klasifikuar si një stuhi e kategorisë së katërt me erëra deri në 240 km/h.