BE duhet të reformohet, pastaj të zgjerohet
Pas dy vitesh të vështira, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker hedh një vështrim optimist në të ardhmen e Evropës: dhjetë vjet pas krizës së Evropës Evropa është kthyer sërish.
Situatën e BE dhe vështrimin drejt së ardhmes Juncker i përshkruan nga thellësia e përvojës së tij dhe vlerësimi i tij është pozitiv: "Tani kemi sërish erë të mbarë në vela", papunësia ka rënë, ka 235 milionë vende pune. Tani ka ardhur momenti për disa hapa të mëdhenj përpara, për ndryshimin e nevojshëm pozitiv. Të gjitha shtetet që nuk janë anëtare të Eurozonës duhet të hyjnë në Eurozonë, propozoi Jean-Claude Juncker dhe me këtë qartë u shpreh kundër një Evrope të dy shpejtësive. Dhe meqenëse disa shtete nuk janë të përgatitura ende, duhet të ketë "ndihma para anëtarësimit", për t'i afruar ato me kriteret e konvergjencës. Edhe propozimet e Junckerit për reformimin e Eurozonës dallohen nga idetë e Macronit dhe të Merkelit. Edhe ai dëshiron një ministër të ri të ekonomisë dhe të financave, por ai duhet të vijë nga radhët e Komisionit, jo të zgjidhet nga qeveritë e Eurozonës. "Nuk kemi nevojë për struktura paralele", tha Juncker. Sipas Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, Europa duhet të implementojë një projekt më të besueshëm për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor. Për Juncker, ky është momenti më i favorshëm që Bashkimi Europian të përfitojë nga mundësitë për t’u reformuar. Juncker i tha Parlamentit Europian se ka “një dritare me mundësi” për të ndërtuar një union më të fuqishëm e më të bashkuar, por ai paralajmëroi se kjo dritare “nuk do të qëndrojë përherë e hapur”. Gjatë fjalimit të tij 1 orësh në anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht, Juncker trajtoi edhe çështjen e zgjerimit, teksa konfirmoi se nuk do të ketë anëtarësime të reja deri në vitin 2019, në mandatin aktual të Komisionit. Në fjalën e tij, Juncker gjithashtu veçoi Turqinë dhe nuk kurseu kritika për liderët që e kanë distancuar vendin nga Bashkimi Europian, duke këmbëngulur që Ankaraja të lirojë gazetarët dhe të ndalojë sulmet personale ndaj liderëve europianë. Për shkak të detyrimit për sundimin e ligjit, Juncker e përjashton edhe një anëtarësim të afërt të Turqisë në BE. Me këtë Juncker ndodhet në të njëjtën linjë me shumicën e shteteve anëtare: fjalë të ashpra në drejtim të Presidentit Erdogan, vazhdim i stanjacionit në bisedimet e anëtarësimit, por jo mbyllje e derës për Turqinë. Fjala e Presidentit të Komisionit nuk mbaron pa përmendur shkurt edhe Brexit. Ai thotë se Brexit është një moment tragjik i historisë sonë. "Ne shprehim keqardhje (për Brexit) dhe unë besoj se do të pendoheni për të", i drejtohet ai direkt Britanisë së Madhe. Por shkëputja e Britanisë së Madhe nuk do të përcaktojë të ardhmen e Evropës. Këtë ai do ta theksojë në një takim të posaçëm të nivelit të lartë, që do të zhvillohet në 30 mars 2019, në ditën kur BE do të vazhdojë punën si bashkim i 27 shteteve. "Evropa duhet të marrë frymë njëkohësisht në Perëndim dhe në Lindje", deklaroi Juncker dhe paralajmëroi që Rumania dhe Bullgaria të bëhen më në fund anëtarë të hapësirës Shengen. Ai theksoi edhe që procesi i anëtarësimit për shtetet e Ballkanit duhet të çohet përpara. "BE do të ketë më shumë se 27 shtete anëtare", ky është vështrimi i tij drejt së ardhmes. Por Presidenti i Komisionit Evropian paralajmëron qartë se sundimi i ligjit, qëndron në vend të parë krahas lirisë dhe shanseve të barabarta.