Takim trepalësh mes Amerikës, Japonisë dhe Koresë së Jugut
Krerët e Koresë së Jugut, Japonisë dhe Amerikës do të mbajnë një takim në Nju Jork në kuadër të samitit të AP të OKB.
Sipas një njoftimi të agjencisë Junhab të Koresë së Jugut, takimi trepalësh do të shqyrtojë çështjen e Koresë së Veriut. Koreja e Veriut lëshoi raketën më të fundit balistike mbi Japoninë. Vetë lideri koreano-verior ishte prezent në lëshimin e raketës Hëasong-12 që arriti një lartësi prej 770 km dhe udhëtoi për 3.700 km përpara se të ulej në ujërat e ishullit japonez Hokkaido. Sipas ekspertëve, raketa kishte kapacitetin për të mbërritur deri në territorin amerikan të Guamit në Paqësor. Ky test i radhës nxiti takimin trepalësh mes liderëve të Japonisë, Koresë së Jugut dhe Amerikës lidhur me programin që do të ndiqet pas këtij testi. Takimi i fundit treaplësh është mbajtur gjatë samitit të grupit G-20 në Hamburg të Gjermanisë. Seuli dhe Uashingtoni në atë kohë njoftuan mbi mundësinë e vizitës së presidentit amerikan në Korenë e Jugut gjatë muajit nëntor. Në muajin nëntor Trump do të vizitojë rajonin për të marrë pjesë në takimin e krerëve të ASEAN në Filipine dhe në takimin e këshillit të bashkëpunimit ekonomik Azi-Oqeani në Vietnam.