Hap i ri i Amerikës drejt armatosjes së Ukrainës
Amerika do t'i japë falas armë dhe pajisje luftarake Ukrainës në vlerë 500 milionë dollarë.
Agjencia e lajmeve Interfax njoftoi se Petro Poroshenko, presidenti i Ukrainës, të martën deklaroi se Senati i Amerikës ka miratuar buxhetin e sigurisë dhe mbrojtjes së këtij vendi për vitin 2018, në të cilin është paraparë një buxhet 500 milionë dollarë për mbështetje me armë ndaj Ukrainës. Xhejms Mattis, sekretari amerikan i mbrojtjes, më 25 gusht të këtij viti në takim me Poroshenkon ka njoftuar për dorëzimin falas të pajisjeve luftarake në vlerë 175 milionë dollarë Ukrainës. Administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton mundësinë e armatosjes së Ukrainës me pajisje që Kievi do të mund t’i përdorte kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia. Kundërshtarët thonë se armatosja e Ukrainës rrezikon të shkallëzojë më tej konfliktin, ndërsa mbështetësit thonë se armatimet më të mira do të shërbenin si një zmbrapsje ndaj agresionit rus, si dhe do t’i ofronin Kievit një nxitje politike dhe psikologjike në përballjen me Moskën. Dërgimi i armatimeve të reja për Ukrainën do të shërbente si një kthesë e rëndësishme për politikën e jashtme amerikane. Deri tani, janë ofruar vetëm paisje jovdekjeprurëse, por kritikët thonë se duhet të ishin marrë me kohë masat parandaluese ndaj agresionit rus. Në këtë kuadër, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka rekomanduar dërgim të pakos së armatimit vdekjeprurës, që do të ishte një ndihmë ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 500 milionë dollarëve. Rusia e dënoi vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhuruar Ukrainës lloje të ndryshme armësh dhe pajisje ushtarake. Dmitri Peskov, zëdhënësi i presidentit rus, u tha gazetarëve të martën se Moska dënon ashpër vendimin e SHBA-ve për t'i dorëzuar armë Ukrainës, duke thënë se vendime të tilla nuk ndihmojnë për të zgjidhur konfliktin në rajonet jugore dhe lindore të Ukrainës. Senatori Vladimir Xhabarov, Zv/Komisioneri i Parë për Çështjet Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës Ruse, gjithashtu fajësoi programin e ndihmës ushtarake të SHBA për Ukrainën, duke deklaruar se është e qartë se kundër cilit vend dëshiron t’i përdorë këto armë presidenti ukrainas Petro Poroshenko. Përkundër paralajmërimeve të Rusisë që të përmbahen nga dërgimi i armëve në Ukrainë për të siguruar kushtet për përfundimin e konfliktit që filloi në vitin 2014 në pjesën lindore të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dhurojnë Kievit armë dhe pajisje ushtarake me vlerë 500 milionë dollarë. Rusia e ka aneksuar rajonin Krime në Ukrainë në fillim të vitit 2014 dhe u ka dhënë ndihmë të fuqishme ushtarake, ekonomike dhe politike, militantëve separatistë në pjesën lindore të Ukrainës. Gjatë vizitës në Kiev, muajin e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vlerësuar se Rusia i ka “mijëra” trupa në tokën ukrainase. Megjithqë Rusia i ka hedhur poshtë pohimet për çfarëdo involvimi ushtarak në këtë konflikt, Gjykata Penale Ndërkombëtare në muajin nëntor të vitit të kaluar është shprehur se lufta atje është “një konflikt i armatosur ndërkombëtar ndërmjet Ukrainës dhe Federatës Ruse”. Sigurisht që vendimi i SHBA për të dërguar armë vdekjeprurëse në Ukrainë do t’a përshkallëzojë konfliktin dhe do t’i hedhë benzinë zjarrit në lindje të Ukrainës.