Ambasadorët evropianë mbështesin fuqishëm marrëveshjen bërthamore
Ambasadorët e pesë vendeve evropiane në Iran, të cilët morën pjesë në Forumin "Evropa-Irani" (EIF) në Cyrih, të mërkurën nënvizuan mbajtjen në fuqi të Planit të Përbashkët të Veprimit, si një marrëveshje e njohur ndërkombëtarisht që çoi në zgjerimin e bashkëpunimit me Republikën Islamike të Iranit.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, ambasadorët e Britanisë, Belgjikës, Danimarkës, Polonisë dhe Holandës të cilët ishin të pranishëm në Forumin Evropa-Irani (EIF) në Cyrih, e përshkruan Planin e Përbashkët të Veprimit si një marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare dhe i kërkuan të gjitha palëve të mbeten të përkushtuara ndaj zotimeve të tyre. Ambasadori britanik në Iran, Nicholas Hopton, tha: "Londra është e përkushtuar për suksesin e marrëveshjes bërthamore". Në rast se administrata Trump pretendon se Irani nuk e ka zbatuar marrëveshjen bërthamore, atëherë qeveria britanike do të vazhdojë negociatat me Kongresin amerikan për domosdoshmërinë e vazhdimit të respektimit të kësaj marrëveshje, tha ai. Ky Forum kishte filluar punimet për herë të parë katër vite më parë, për të forcuar bashkëpunimin diplomatik dhe ekonomik midis Iranit dhe Perëndimit. Evropianët tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre unanime për marrëveshjen ndërkombëtare dhe përshëndetën kthimin e Teheranit në tregjet financiare dhe aktivitetet tregtare dhe bankare përkundër mungesës së angazhimit të treguar nga SHBA në marrëveshjen bërthamore të korrikut të vitit 2015. EIF nisi punimet të martën në Cyrih të Zvicrës, në të cilin një numër i zyrtarëve të Iranit dhe Evropës shkëmbyen pikëpamje dhe shqyrtuan arsyet për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bankar mes të dyja palëve.