Amerika po flirton me ISIS-in në Siri
Rusia ka akuzuar forcat amerikane për ofrimin e inteligjencës terroristëve të ISIS-it në Sirinë lindore, duke thënë se Uashingtoni është duke flirtuar qartë me grupin terrorist.
"Pengesa kryesore për të mposhtur përfundimisht ISIS-in në Siri nuk është aftësia ushtarake e terroristëve, por mbështetja për ta dhe flirtimi me ta, nga Shtetet e Bashkuara," deklaroi të mërkurën gjeneralmajor Igor Konashenkov, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë. Konashenkov e bëri këtë deklaratë pasi një grup i forcave siriane u bë objekt i një seri sulmesh nga ISIS në krahinën e Deir al-Zur, ku Siria po përpiqet të dëbojë terroristët nga fortesat e tyre të fundit në rajon. Gjenerali rus tha se sulmet ndaj forcave qeveritare siriane kishin ardhur nga një zonë pranë kufirit me Jordaninë, ku SHBA-ja mban një mision ushtarak. Koneshenkov tha se ISIS kishte koordinatat e sakta të forcave siriane para sulmit dhe se një informacion i tillë mund të merrej vetëm përmes zbulimit ajror. "Nëse Shtetet e Bashkuara i shohin veprime të tilla si ‘rastësi të paparashikuara’, atëherë forca ajrore ruse në Siri është e përgatitur të fillojë shkatërrimin e plotë të të gjitha 'rastësive' të tilla në zonat nën kontrollin e tyre" tha Konashenkov.