NATO shton praninë në Rumani
Një brigadë shumëkombëshe, e destinuar për të riforcuar krahun lindor të NATO-s në Rumani, do të jetë operacionale deri në fund të vitit 2018, deklaroi sot presidenti rumun, Klaus Iohannis, me rastin e një vizite të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Kam besim se ne do të respektojmë angazhimet tona që kjo brigadë të jetë plotësisht operacionale para fundit të vitit 2018”, nënvizoi presidenti rumun. Vendosur në Krajovë (jug), brigada do të drejtohet nga Rumania dhe do të përfshijë gjithashtu ushtarë polakë, portugezë, bullgarë, italianë dhe gjermanë. Kjo iniciativë u ndërmor në kuadër të riforcimit të pranisë së NATO-s në ish-vendet e bllokut sovjetik, shqetësuar për sigurinë e tyre që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014.