Evropa reagon ndaj deklaratës anti-iraniane të Trump
Franca, Gjermania, Anglia dhe shefja e diplomacisë evropiane, së bashku me mediat ruse kanë reaguar menjëherë ndaj deklaratës anti-iraniane të presidentit amerikan.
Franca, Anglia dhe Gjermania, mbrëmjen e së premtes nxorën një deklaratë të përbashkët ku theksuan respektimin e programit të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes bërthamore dhe deklaruan se kjo marrëveshje është në kuadër të interesave të sigurisë së tyre kombëtare. Theresa May, kryeministre e Anglisë, Angela Merkel kancelare e Gjermanisë dhe Emmanuel Macron president i Francës, disa orë pas fjalimit të Donald Trump kundër Iranit me anë të një deklarate të përbashkët kanë shprehur mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore. Në këtë deklaratë thuhet: Marrëveshja bërthamore është kulmi i 13 viteve diplomaci dhe një hap i madh në garantimin e paqes dhe sigurisë në botë. Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane gjithashtu ka reaguar ndaj deklaratës së Donald Trump dhe ka thënë: Marrëveshja bërthamore nuk është një marrëveshje dypalëshe dhe ajo nuk mund të pezullohet nga asnjë vend dhe asnjë vend nuk mund t’i japë fund asaj. Marrëveshja bërthamore është një marrëveshje ndërkombëtare, e konfirmuar nga rezoluta 2231 e KS të OKB dhe programi bërthamor i Iranit ka vetëm qëllime paqësore. Ndaj deklaratës anti-iraniane dhe kundër marrëveshjes bërthamore të Donald Trump kanë reaguar edhe mediat ruse të cilat theksojnë se presidenti amerikan ka hequr dorë nga vendimi për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore.