BE do të zbatojë marrëveshjen bërthamore
Shefja e politikës së jashtme të BE-së ka riafirmuar angazhimin e bllokut ndaj marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë vendeve të tjera përballë retorikës së SHBA kundër marrëveshjes.
"Në një kohë të kërcënimeve akute bërthamore, Bashkimi Evropian është i vendosur të ruajë marrëveshjen bërthamore me Iranin si një shtyllë kryesore të arkitekturës ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve atomike," tha të enjten në Luksemburg znj. Federica Mogherini. Ajo e përshkroi marrëveshjen si "kulminacionin e 12 viteve të diplomacisë së Bashkimit Evropian" dhe të miratuar nga Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. "Bashkimi Evropian është i përkushtuar për zbatimin e vazhdueshëm të plotë dhe efektiv të të gjitha pjesëve të marrëveshjes bërthamore. Bashkimi Evropian nënvizon se heqja e sanksioneve bërthamore ka një ndikim pozitiv në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Iranin, "shtoi Mogherini. Ajo theksoi se BE e "inkurajon" Uashingtonin për të ruajtur përkushtimin e tij ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin.