NATO e papërgatitur nëse Rusia sulmon
NATO-ja nuk do të jetë e aftë për t’i rezistuar sulmit potencial të Rusisë në krahun e tij lindor, thuhet në një raport të brendshëm të cituar nga javorja gjermane, Der Spiegel.
Në këtë dokument, me titullin “Raporti i progresit në forcimin e zmbrapsjes dhe aftësinë mbrojtëse të Aleancës”, janë theksuar disa mangësi. Në këtë kuadër, pos tjerash, theksohet se bile edhe forcimi i Forcës Përgjegjëse të NATO-s ka dështuar të sigurojë se mund të “reagojë shpejtë dhe – nëse është e domosdoshme – në mënyrë të qëndrueshme”. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka refuzuar ta komentojë raportin e publikuar në javoren gjermane, por tha se “forcat e aleancës janë më tepër të gatshme dhe të afta të vendosen se sa në çfarëdo kohe në disa dekada” të fundit. Raportet e NATO-s me Rusinë janë në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë dhe konfliktit në Ukrainë. Pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, NATO-ja e ka suspenduar bashkëpunimin e saj civil dhe ushtarak me Moskën, ndërsa Ukraina ka shpallur interesim për anëtarësim në aleancën veri-atlantike.