Shpallja e pavarësisë së Katalonjës dhe reagimi i Madridit
(last modified Sat, 28 Oct 2017 07:03:33 GMT )
Tetor 28, 2017 09:03 Europe/Tirane
  • Shpallja e pavarësisë së Katalonjës dhe reagimi i Madridit

Pas shpalljes së pavarësisë nga ana e Katalonjës, Parlamenti i Spanjës ka aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës i cili parashikon heqjen e autonomisë së rajonit si dhe kthimin e tij në kontrollin direkt të Madridit.


Kryeministri Rahoi dhe Presidenti Puigdemont janë përplasur me deklarata, ndërsa situata ka krijuar një panoramë pasigurie mbi atë që pritet të ndodhë. Ndërkohë, shpallja e pavarësisë nuk është njohur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara. Parlamenti i Spanjës ka aktivizuar nenin 155 të Kushtetutës, i cili parashikon vendosjen e kontrollit direkt mbi rajonin e Katalonjës ndërsa zhvillimi ka shkaktuar një paqartësi edhe më të madhe mbi atë që mund të ndodhë. Vendimi i Madridit zyrtar erdhi vetëm pak orë pasi parlamenti rajonal katalanas shpalli pavarësinë përmes pranimit të vullnetit të qytetarëve në referendumin e datës 1 tetor. Pas aktivizimit të nenit 155, kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoi u shpreh se të gjithë duhet të ruajnë qetësinë në një kohë kur autoritetet po përpiqen që të rikthejnë ligjshmërinë në rajonin e Katalonjës. “Objektivi është që të insistojmë në kthimin mbrapsht të ligjshmërisë. Dua t’i them spanjollëve dhe katalanasve që të qëndrojnë të qetë. Gjërat do të rregullohen. Ne do të veprojmë me mature dhe efektivitet sikurse kemi vepruar deri tani.” Nga ana tjetër, mesazhi i Puigdemont ishte që qytetarët të mbajnë në këmbë lëvizjen për pavarësi, por duke ruajtur natyrën paqësore të qëndresës së tyre. Ai shtoi se qeveria do të jetë e vendosur për të dërguar deri në fund vullnetin e popullit. Gjatë zhvillimeve në parlamentet respektive, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Katalonjës dolën në rrugët dhe sheshet kryesore. Zhvillimet po ndiqen hap pas hapi edhe nga ndërkombëtarët. Bashkimi Europian u shpreh se pavarësisht aktit të pavarësisë, asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e Brukselit kundrejt Spanjës.

Tags