Qëllimi i vizitës së Trump në Korenë e Jugut
Presidenti i Amerikës , Donald Trump, është futur në Korenë e Jugut në kohën kur kundër tij janë organizuar protesta në Seul.
Pjesëmarrësit në protestat e Seulit janë shprehur të irrituar nga fakti se presidenti amerikan po e çon gadishullin korean drejt një lufte bërthamore dhe shkatërrimtare. Për këtë ata kanë lëshuar slogane tepër të ashpra kundër presidentit Donald Trump. Trump si vendin e dytë të turit të tij aziatik ka zgjedhur Korenë e Jugut. Përpara vizitës së tij në Seul, presidenti amerikan vizitoi Japoninë dhe atje me një ton të ashpër dhe kërcënues deklaroi se asnjë vend nuk duhet të kërcënojë Amerikën. Ai gjithashtu duke iu drejtuar kryeministrit japonez Shinzo Abe, tha se është habitur që Tokio nuk ka shkatërruar raketat e lëshuara nga Pheniani dhe që kanë fluturuar mbi hapësirën ajrore të Japonisë. Me të tilla deklarata Donald Trump gjatë vizitës së tij në Azi po mundohet të mbajë situatën politike dhe të sigurisë sa më shumë të tensionuar. Këtë e tregon edhe mbërritja e presidentit amerikan Donald Trump në Seul që u shoqërua me një demonstrim të madh force në oqeanin Paqësor. Tre aeroplanmbajtëse amerikane, të shoqëruara me destrojerë e nëndetëse, përgatiten të zhvillojnë një betejë të simuluar në ujrat e rajonit, e nuk janë të pakta gjasat që kjo shfaqje fuqie të shihet nga Peniani si provokim i drejtpërdrejtë. Manovra ku marrin pjesë “USS Nimitz”, “USS Ronald Reagan” dhe “USS Theodore Roosevelt”, pason stërvitjen e përbashkët të flotave amerikane, australiane dhe koreano-jugore, qëllimi i të cilave është interceptimi i ngarkesave me materiale bërthamore me destinacion Korenë e Veriut. Zyrtarë të qeverisë së Phenianit kanë thënë se, Uashingtoni po i përshkallëzon veprimet që mund të nxisin një “tjetër luftë koreane”. “Askush nuk e di se kur manjaku i konflikteve Donald Trump do të ndezë fitilin e luftës”, shprehen ata. Ambiciet bërthamore të Penianit do të mbizotërojnë axhendën e vizitës së Trump në Korenë e Jugut. Edhe pse do të qëndrojë atje vetëm 24 orë, kjo do të jetë me të gjithë gjasat ndalesa më simbolike e turneut aziatik të shefit të Shtëpisë së Bardhë, një rrugëtim i ideuar për forcimin e aleancës ushtarake dhe unitetit, që e ka mbrojtur këtë vend prej kaq kohësh, duke i dërguar Kim Jong- unit një mesazh të qartë nga përtej kufirit të tij. Mosmarrëveshjet, megjithatë, nuk mungojnë. Trump e ka akuzuar më parë presidentin e Koresë së Jugut se po përpiqet ta marrë Veriun me të mirë dhe e ka bërë të qartë se kërkon rinegociimin e kushteve të marrëveshjes së tregtisë së lirë mes dy vendeve. Në kohën kur Uashingtoni vazhdon veprimet e tij nxitëse dhe nuk është i interesuar për zbatimin e planit për çarmatosjen e gadishullit korean, Koreja e Veriut ka shtuar aktivitetet e saj raketore dhe atomike si mjet preventues për tu përballur me një sulm të mundshëm nga Amerika. Nga ana tjetër Amerika dhe vetë presidenti Donald Trump ndodhen në një gjendje të rënduar pasi Uashingtoni për të detyruar Phenainin që të tërhiqet nuk ka asnjë mjet tjetër në dorë përveçse shtimin e sanksioneve. Në këto kushte presidenti amerikan për të rikuperuar dëmet e qorrsokakut ku Amerika është futur, është kthyer në një shitës të armëve amerikane për Japoninë dhe Korenë e Jugut. Këto armë janë shitur me çmime tepër të larta në kohë kur rajoni ndodhet vetëm një hap larg nga nisja e një lufte shkatërrimtare.