Hariri: Do të sqaroj pozicionin pasi të kthehem në Bejrut
Kryeministri i Libanit Saad Hariri ka thënë se ai do të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me krizën e vazhdueshme në vend pasi të kthehet në Liban në ditët e ardhshme.
"Në lidhje me situatën politike në Liban, do të shkoj në Bejrut në ditët në vijim, do të marr pjesë në festimet e pavarësisë dhe do të bëj të njohur qëndrimin tim pas takimit me Presidentin Michel Aoun", tha Hariri të shtunën pas takimit në Paris me Presidentin francez Emmanuel Macron. Pas ditëve të konfuzionit rreth situatës së Haririt në Arabinë Saudite, kryeministri libanez dhe gruaja e tij arritën të shtunën në kryeqytetin francez, Paris, por dy fëmijët e tyre kanë qëndruar në Riad. Të shtunën, Hariri e telefonoi presidentin libanez dhe i tha se do të ishte në Liban të mërkurën për Ditën e Pavarësisë së vendit. Në Paris, Hariri zhvilloi bisedime me presidentin francez Macron, i cili e kishte ftuar politikanin libanez në një përpjekje për të ulur tensionet që shpërthyen pas dorëheqjes së tij të papritur.