Defekt i rëndë në motorin e BE-së
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dështuar ta formojë koalicionin qeverisës të partisë së saj CDU, me Partinë e të Gjelbërve dhe me partinë Demokratët e Lirë (FDP).
Kështu, duket se është aktualizuar mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare. Në një Gjermani të fortë, kaq të suksesshme në zemër të Europës, në motorin e BE-së, ende nuk dihet më shumë se 8 javë pas zgjedhjeve të Bundestagut, se si do të zhvillohen gjërat. Christian Lindner, shef i FDP-së tha mbrëmë vonë se negociatat kanë dështuar për shkak të mosbesimit ndërmjet palëve në bisedime. “Më mirë është që të mos qeveriset, se sa të qeveriset keq”, tha Lindner. Merkel ka shprehur keqardhje për vendimin e FDP-së që të tërhiqet nga bisedimet për formimin e koalicionit. Me sa duket ishte FDP-ja, ajo që e pengoi Merkelin të gjente një model të ri koalicioni, një ide për një aleancë qeveritare, që nuk ishte e sprovuar më parë. Por që me guxim e me ide të reja, kjo aleancë mund të formësonte në mënyrë aktive realitetet e reja politike. “Ne besuam se ishin në rrugë të mirë, ku do të ishte e mundshme arritja e një marrëveshjeje”, u tha Merkel gazetarëve në Berlin, dhe ka shtuar se sonte do të takohet me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, për ta njoftuar atë me situatën e krijuar. Nga ana e tij, Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u bëri thirrje partive që negociojnë të marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre për të mënjanuar zgjedhje të reja. "Nuk ka asnjë shkas për debate paniku për zgjedhje të reja", tha Steinemier. Sidoqoftë, kriza politike është aq e rëndë, saqë edhe grupet parlamentare të partive do të zhvillojnë mbledhje të posaçme. Nevoja për konsultime është e madhe, sepse në nivel federate asnjëherë nuk ka pasur një krizë të tillë. Të gjitha partitë po përkufizojnë çështjet, lidhur me të cilat ato duan të forcojnë pozicionet e tyre. Pas dështimit të bisedimeve, Angela Merkel mund t'u drejtohet socialdemokratëve (SPD)për të sqaruar, nëse ata do të vazhdojnë t'i përmbahen “jo-së” së tyre kategorike për të mos qenë pjesë e qeverisë. Sa u përket shifrave një përsëritje e koalicionit CDU/CSU dhe SPD do të kishte 399 nga 709 vota, pra një shumicë e qartë në Bundestag. Në SPD gatishmëria për këtë është gati zero, sepse pas humbjes në zgjedhje partia synon të rigjenerohet në opozitë. Gjithashtu, mendohet edhe që Merkel të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe të heqë dorë nga një mandat i ri për qeverisje. Atëherë një tjetër politikan nga CDU-ja që ka shumicën do të duhej të merrte timonin në dorë për krijimin e një qeverie. Për një zhvillim të tillë duket se nuk ka asnjë shenjë. Tani zhvillimet e tjera janë të paqarta ndërsa flitet si për qeveri pakice, ashtu edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e reja kërkohen shpejt, por nuk arrihen lehtë. Që të arrihet tek zgjedhjet e reja, "derisa rezultati të jetë si duhet", ka disa pengesa në kushtetutë: Së pari Bundestagu duhet të zgjedhë një kancelar, ose kancelare - me propozimin e presidentit Frank-Walter Steinmeier. Nëse Angela Merkel sërish zgjidhet kancelare dhe qeveria rezulton jo e qëndrueshme, ajo mund të kërkojë votëbesimin në Bundestag. Nëse ajo nuk e fiton atë, atëherë janë përmbushur kushtet për zgjedhje të reja. Shumica e analistëve politikë mendojnë se derisa të arrihen zgjedhje të reja eventuale Gjermania do të mbetej në vendnumëro politikisht dhe në nivel ndërkombëtar ajo do të ishte vetëm me kufizime e aftë për të vepruar. Një situatë e tillë ka shkaktuar shqetësim të thellë në qarqet politike evropiane dhe botërore kur dihet rëndësia qendrore e Gjermanisë në Evropë dhe në botë.