Pasojat negative të Brexit-it
Kryenegociatori i BE, Michel Barnier, deklaroi se Britania ka dy javë kohë që të qartësojë pozicionin e saj në çështjet kyçe ose të bëjë lëshime, në mënyrë që të arrihet progres në negociatat për Brexit.
Ai i bëri këto komente pas bisedimeve me sekretarin britanik për Brexit, David Davis, për të drejtat e qytetarëve, kufirin irlandez dhe faturën e divorcit. Banier tha se Londra duhet të sqarojë për dy javë sa ka ndërmend të paguajë, pasi rregullimi i llogarive është fare normal në çdo proces ndarje. E ashtuquajtura faturë e divorcit mbetet pika kryesore që ndan palët në bisedime. Flitet se BE kërkon një shifër prej rreth 60 miliard eurosh nga Londra për angazhimet e mëhershme, por britanikët nuk janë aspak të gatshëm të paguajnë aq. Sidoqoftë, sqarimin e faturës së divorcit Barnier e konsideroi kusht kryesor për të arritur progres deri në samitin e liderëve të BE në dhjetor. Nga ana e tij, David Davis tha pas bisedimeve se ka ardhur koha që të dyja palët të gjejnë zgjidhje, duke lënë mbase të kuptohet se deri tani nuk është bërë asgjë. Davis nuk harroi që të kundërshtonte me forcë sugjerimin e ditëve të fundit se Irlanda e Veriut mund të mbesë brenda unionit evropian të doganave edhe pas Brexit. Por ministri britanik bëri një paralajmërim diplomatik se Gjermania dhe vendet e tjera evropiane duhet të kenë kujdes së mund të dëmtojnë ekonomitë e tyre duke i dhënë prioritet çështje politike, si dëshira për të ndëshkuar Britaninë për largimin. “Unë e di se askush nuk do të lejonte që interesat afatshkurtra të dëmtojnë përfitimet e arritura me vështirësi. Sepse vendosja e politikës para prosperitetit nuk është kurrë një zgjedhje e zgjuar”, deklaroi Davis. Duke paraqitur vizionin e tij post Brexit, Davis theksoi se qeveria britanike shpreson që të negociojë një marrëveshje speciale tregtare me Brukselin, pavarësisht se dokumentet e zbuluara nga mediat sugjerojnë se Britanisë do t’i ofrohet një marrëveshje e ngjashme me atë që BE ka bërë me Kanadanë dhe që redukton dukshëm favorizimet tregtare për Britaninë. Por pasojat negative të Brexit-it po ndjehen në Britani edhe para ndarjes së këtij vendi nga BE. Britania e Madhe ka humbur edhe zyrtarisht vendin e pestë në renditjen e ekonomive më të mëdha të botës. Gjatë prezantimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Philip Hammond, Sekretar i Thesarit në qeverinë britanike e pranoi këtë. Megjithatë, ai tha se ekonomia e Mbretërisë nuk duhet nënvlerësuar. “Londra është kryeqendra financiare globale dhe buxheti ynë garanton këtë vazhdimësi. Kemi kompani të forta në të gjithë botën dhe rol lider në industrinë teknologjike dhe digjitale, që janë e ardhmja e ekonomisë”, deklaroi ai. Vendin e Britanisë së Madhe në top 5 e ekonomive globale e ka zënë Franca, ndërkohë që katër ekonomitë e tjera janë Gjermania, Japonia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Banka e Anglisë deklaroi se, rreth 75 mijë vende pune do të humbasin vetëm në sektorin e shërbimeve financiare, pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian. Zyrtarë të bankës thonë se mungesa e një pakti tregtar mes Londrës dhe Brukselit do të ishte problematike, por edhe në skenarin më të mirë, shumë vende pune do të transferohen në kontinent. Banka e Anglisë i ka kërkuar bankave dhe institucioneve të tjera financiare, që të paraqesin planet e emergjencës në rast se Britanisë do t’i duhet të bëjë tregti me BE-në sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe jo më sipas atyre të unionit. Kjo do të thotë se, bankat me seli në Mbretërinë e Bashkuar do të humbasin të drejtat speciale për të operuar në BE. Britania e Madhe pritet të dalë nga BE-ja në mars të vitit 2019, pas referendumit të vitit të kaluar. Ajo shpresonte të kalohej në fazën e dytë të negociatave, që mbulojnë marrëveshjet e ardhshme të tregtisë, pas samitit të kësaj jave, por krerët e BE-së kanë dalë zyrtarisht në përfundimin se nuk është arritur progres i mjaftueshëm për çështjen e të drejtave të qytetarëve, detyrimet financiare të Britanisë dhe kufirin në Irlandën e Veriut.