Britania serioze në divorcin me BE-në
https://parstoday.ir/sq/news/world-i63281-britania_serioze_në_divorcin_me_be_në
Sasia e parave që Britania e Madhe do të paguajë si pjesë e “Brexit”-it ka qenë një nga pikat më të nxehta të raundit të parë të bisedimeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 29, 2017 14:18 Europe/Tirane
  • Britania serioze në divorcin me BE-në

Sasia e parave që Britania e Madhe do të paguajë si pjesë e “Brexit”-it ka qenë një nga pikat më të nxehta të raundit të parë të bisedimeve.

Në shtator, Theresa May sugjeroi se Britania e Madhe ishte e disponueshme të paguante rreth 20 miliardë euro dhe Bashkimi Europian kërkoi që shifra të rritej. Qeveria britanike ka mohuar raportet se shifra përfundimtare mund të jetë 55 miliardë euro. Por sot, Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka thënë se Britania e Madhe duhet të bëjë një ofertë të ndershme për të ndihmuar në zhbllokimin e situatës aktuale. Britania shpreson të bëjë përpara dhe të nisë bisedimet për tregtinë, por BE-ja do ta bëjë këtë vetëm kur të vlerësojë se është arritur progres i mjaftueshëm në 3 fushat e tjera: të ashtuquajturën faturë të divorcit, të drejtat e qytetarëve europianë në Britani pas “Brexit”, si dhe kufiri me Irlandën. Londra ka rënë dakord që të respektojë plotësisht angazhimet e saj financiare ndaj Bashkimit Europian, deri në 100 miliardë euro, si pjesë e marrëveshjes me Brukselin për faturën e divorcit të “Brexit”. Kështu shkruan gazeta “Financial Times”, e cila bazuar në burimet e saj diplomatike brenda bisedimeve, thekson se shifra reale do të jetë më pak se gjysma e angazhimeve të marra. Artikulli i “Financial Times” duket se konfirmon atë që raportoi më herët gazeta britanike “Daily Telegraph”, e cila tha se Londra dhe Brukseli kanë rënë dakord që fatura e divorcit të jetë mes 45 dhe 55 miliardë eurove. Gazeta shkruan gjithashtu se është arritur një marrëveshje në parim, për kërkesën e BE-së për një dëmshpërblim financiar prej 60 miliardë eurosh.