Hidhen poshtë polemikat për shkarkimin e sekretarit amerikan të shtetit
https://parstoday.ir/sq/news/world-i63531-hidhen_poshtë_polemikat_për_shkarkimin_e_sekretarit_amerikan_të_shtetit
Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet mediatike se sekretari i shtetit Rex Tillerson do të hiqej nga posti që ai mban. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sara Sanders theksoi se Tillerson vijon të mbetet në detyrë dhe nuk do të zëvendësohet nga shefi i CIA-s Majk Pompeo.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 03, 2017 08:30 Europe/Tirane
  • Hidhen poshtë polemikat për shkarkimin e sekretarit amerikan të shtetit

Shtëpia e Bardhë ka mohuar pretendimet mediatike se sekretari i shtetit Rex Tillerson do të hiqej nga posti që ai mban. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sara Sanders theksoi se Tillerson vijon të mbetet në detyrë dhe nuk do të zëvendësohet nga shefi i CIA-s Majk Pompeo.

“Rex Tillerson vijon të udhëheqë Departamentin e Shtetit.” Ka qenë ky reagimi i Shtëpisë së Bardhë, pas aludimeve se sekretari amerikan i shtetit do të zëvendësohej së shpejti. Përmes zëdhënëses Sarah Sanders, Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë pretendimet e shpërndara nga disa organizata mediatike, të cilat madje shkruan se zëvendësimi për Tillerson mund të ishte shefi i CIA-s, Mike Pompeo. Sipas Sanders, i gjithë kabineti është përqendruar në përfundimin e këtij viti të parë të shkëlqyer të administratës Trump. Agjenci dhe media prestigjioze si New York Times, Associated Press dhe Reuters citonin burime anonime nga qeveria dhe Shtëpia e Bardhë, se presidenti Donald Trump po diskutonte planet për zëvendësimin e sekretarit Tillerson. Sipas mediave, Mike Pompeo do të zëvendësohej në CIA nga senatori republikan Tom Cotton dhe këto lëvizje mund të ndodhnin në dhjetor ose janar. Marrëdhënia mes presidentit Trump dhe sekretarit të shtetit Rex Tillerson nuk duket të jetë në momentet më të mira, teksa palët nuk ndajnë qëndrime të njëjta për një sërë çështjesh të politikave të jashtme, si qasja ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut.