Erdogan mbërrin në Greqi për ura të reja komunikimi
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërriti në Athinë për një vizitë zyrtare, ku është pritur në aeroport nga ministri i Jashtëm, Nikos Kotzias.
Ai është ftuar në Athinë nga homologu i tij grek, Prokopis Pavlopoulos, të cilin e ka takuar pasi vendosi një kurorë me lule në monumentin e “Ushtarit të panjohur” para Parlamentit grek. Që në deklaratat e para është krijuar një atmosferë e elektrizuar, sipas medieve greke. Presdienti Pavlopoulos, duke i uruar mirëseardhjen, i ka bërë të qartë homologut të tij turk se Traktati i Lozanës nuk ka përse të rishikohet dhe se minoriteti mysliman në Trakë, zonë verilindore e Greqisë, është një minoritet fetar. Nga ana e tij, me një fjalim me nota tepër sulmuese, siç është karakterizuar nga mediet vendase, Erdogan ka këmbëngulur se duhet riparë një traktat si ai i Lozanës, që është nënshkruar gati 100 vite më parë.