BE paraqet ankesë kundër 3 shteteve që refuzojnë të zhvendosin refugjatët
Bashkimi Evropian ka paraqitur një ankesë zyrtare kundër Republikës Çeke, Hungarisë dhe Polonisë për refuzimin e tre vendeve për të kontribuar në zbatimin e skemës së zhvendosjes së refugjatëve që u miratua më shumë se dy vjet më parë.
Komisioni Evropian, i cili shërben si degë ekzekutive e BE, tha të enjten se rasti i të tre vendeve iu ka referuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Në një deklaratë thuhet se të tre vendet e Evropës Lindore "nuk kanë dhënë asnjë shenjë se ata do të kontribuojnë në zbatimin e vendimit të zhvendosjes", duke shtuar se ato "bëjnë shkelje të detyrimeve të tyre ligjore" në lidhje me marrëveshjen për rivendosjen e refugjatëve të shtatorit të vitit 2015 . Anëtarët e BE ranë dakord si pjesë e marrëveshjes për të ndarë peshën e strehimit të rreth 160,000 refugjatëve, pasi një fluks masiv i refugjatëve goditi brigjet europiane në Itali dhe Greqi në vitin 2015. Megjithatë, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia refuzuan që në fillim të miratojnë skemën e zhvendosjes, duke thënë se kjo do të shkelte sovranitetin e tyre dhe do të krijonte probleme sigurie dhe ekonomike.