Erdogan, Amerikës: S'na blini dot me dollarë
Shtetet e Bashkuara nuk mund ta blejnë me dollarë mbështetjen e Turqisë në votimin në Kombet e Bashkuara në lidhje me statusin e Jerusalemit.
Paralajmërimi erdhi nga presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, i cili në deklaratën e tij iu kundërpërgjigj homologut amerikan, Donald Trump, i cili kërcënoi se do të shkurtojë ndihmat për vendet që mbështesin rezolutën e OKB që synon të anulojë vendimin e SHBA për njohjen e Jerusalemit si kryeqytetin e Izraelit. Erdogan nënvizoi në deklaratën e tij nga Ankaraja se vullneti i lirë nuk mund të blihet. Erdogan deklaroi: “Z. Trump, ti nuk mund të na blesh me para. Shpresoj dhe pres që Shtetet e Bashkuara të mos marrin rezultatin që pret nga OKB dhe në këtë mënyrë bota do t'i japë një mësim shumë të mirë Amerikës. Si e quajnë Amerikën? Djepi i demokracisë? Shtrati i demokracisë po kërkon që vullnetet të blihen me dollarë. Z. Trump, nuk mund ta blini vullnetin demokratik të Turqisë me dollarët tuaj. Ky është vendimi ynë"