Apelohet për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale në Rusi
https://parstoday.ir/sq/news/world-i65429-apelohet_për_bojkotimin_e_zgjedhjeve_presidenciale_në_rusi
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që do të mbahen në mars, ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare më 28 janar, në mbështetje të bojkotimit të zgjedhjeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 27, 2017 13:55 Europe/Tirane

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që do të mbahen në mars, ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare më 28 janar, në mbështetje të bojkotimit të zgjedhjeve.

Në një postim në ueb-faqen e tij, Navalny tha se është e qartë se presidenti rus, Vladimir Putin, i cili do të garojë për mandat të ri, ka nevojë për pjesëmarrje të madhe në zgjedhjet e 18 marsit dhe u bëri thirrje rusëve që t’i bojkotojnë ato. “Refuzojmë të rizgjedhim Putinin në zgjedhje. Nuk duam të presim edhe gjashtë vjet të tjerë. Duam zgjedhje konkurruese”, tha Navalny. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Rusi ka vendosur më 25 dhjetor që të ndalojë kandidimin e Navalnyt për president, për shkak të një dënimi për krim financiar. Anëtarët e komisionit të hënën vendosën njëzëri se Navalny, një avokat i njohur në luftën kundër korrupsionit, nuk ka të drejtë të kandidojë në zgjedhje për shkak të një dënimi të diskutueshëm në një rast mashtrimi financiar. Navalny paraqiti nominimin e tij zyrtar për votimin të dielën pasi qindra mbështetës të tij morën pjesë në një tubim  në Moskë dhe miratuan kandidaturën e tij. Navalny, i cili ka udhëhequr një fushatë të gjerë kundër korrupsionit në qeveri, tha në një mesazh pasi KQZ nxori vendimin e tij, se do të bojkotonte votimin. "Procedura për të cilën ne jemi të ftuar për të marrë pjesë nuk është zgjedhje ... Vetëm Putini dhe kandidatët që ai ka zgjedhur do të marrin pjesë në zgjedhje", tha ai, duke shtuar: "Duke shkuar në votime tani nënkupton të votosh për gënjeshtra dhe korrupsion ". Figura e opozitës shihet nga mbështetësit  e tij si sfiduesi kryesor ndaj presidentit Vladimir Putin. Navalni tha në fjalimin e tij të fushatës, në Moskë, se ai me siguri do të fitojë zgjedhjet nëse lejohet të konkurrojë. Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të bojkotojnë zgjedhjet pasi Komisioni Zgjedhor e ndaloi atë të garojë për shkak të një dënimi penal, të cilin ai  vazhdimisht e ka cilësuar si një ndëshkim politik të udhëhequr nga Kremlini. Ndërkohë, një zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, deklaroi se moslejimi i politikanit opozitar, Aleksei Navalny, që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ruse në mars të vitit 2018, “ka hedhur dyshime serioze në sistemin e pluralizmit politik në Rusi” dhe perspektivën për zgjedhje demokratike në këtë vend. Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha se për Navalnyn, “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte marrë vendim se ai ishte privuar nga e drejta për proces korrekt në çështjen e tij gjyqësore në vitin 2013”. Sipas saj, “akuzat e motivuara politikisht nuk duhet të përdoren kundër pjesëmarrjes politike”. Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian pret që Rusia t’i ftojë monitoruesit zgjedhorë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR). “Bashkimi Evropian do t’i mbështesë vlerësimet e veta për procesin zgjedhor në gjetjet e tyre, siç kemi vepruar në të kaluarën”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini. Që nga viti 2000, Putini ka qenë në pushtet qoftë si president apo kryeministër. Nëse fiton një mandat të katërt presidencial, ai do të ketë të drejtë të shërbejë edhe gjashtë vjet të tjera deri në vitin 2024. Me një vlerësim të përkrahjes popullore prej mbi 80 për qind, 65-vjeçari pritet të fitojë me lehtësi në  zgjedhjet presidenciale të 18 marsit.