Putin: Shpërthimi në Shën Petersbug ishte akt terrorist
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se shpërthimi i djeshëm në një market në Shën Petersburg që la së paku 10 persona të lënduar, ka qenë një sulm terrorist.
Një ditë pas sulmit, për të cilin autoritetet thanë se është bërë me një bombë të improvizuar, Putin foli ashpër duke thënë se forcat e sigurisë “duhet t’i likuidojnë” menjëherë terroristët e dyshuar nëse ata paraqesin kërcënim serioz. “E dini se dje në Shën Petersburg është kryer një sulm terrorist,” ka thënë Putin gjatë një ceremonie për ndarjen e medaljeve për ushtarët që kanë marrë pjesë në operacionet ruse në Siri.Putin tha se ushtarët që kanë shërbyer në Siri kanë ndihmuar në shmangien e sulmeve potenciale, duke vrarë ekstremistët dhe duke i parandaluar ata që të kthehen në Rusi. “Çfarë do të ndodhte nëse këta mijëra...kthehen në vendin tonë – kthehen të trajnuar, të armatosur dhe të përgatitur mirë?”, ka thënë ai gjatë ceremonisë, duke iu referuar rusëve që kanë shkuar në Siri për të luftuar përkrah grupit terrorist ISIS dhe grupeve të tjera terroriste. Zyrtarët rusë thanë të mërkurën se nëntë nga 10 të lënduarit nga shpërthimi janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Së paku një person ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa një tjetër është liruar nga spitali. Shpërthimi ndodhi pasi autoritetet e sigurisë thanë më 15 dhjetor, se kanë arrestuar shtatë persona të dyshuar si ekstremistë islamikë, të cilët po planifikonin sulme me bomba në një kishë dhe në vende të tjera në Shën Petersburg.