Trump ballafaqohet me kritika për shprehjen vulgare për imigrantët
https://parstoday.ir/sq/news/world-i66705-trump_ballafaqohet_me_kritika_për_shprehjen_vulgare_për_imigrantët
Presidenti amerikan, Donald Trump, po ballafaqohet me kritika të ashpra për shkak të komenteve vulgare për të cilat raportohet se ai i ka bërë gjatë një takimi të djeshëm me ligjvënësit për çështjen e imigrantëve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Janar 12, 2018 15:50 Europe/Tirane
  • Trump ballafaqohet me kritika për shprehjen vulgare për imigrantët

Presidenti amerikan, Donald Trump, po ballafaqohet me kritika të ashpra për shkak të komenteve vulgare për të cilat raportohet se ai i ka bërë gjatë një takimi të djeshëm me ligjvënësit për çështjen e imigrantëve.

Duke e refuzuar një marrëveshje të propozuar për imigrantët, Trump ka pyetur përse më tepër njerëz nga Haiti dhe nga vendet që ai i ka quajtur “të pista” (“shithole”) nga Afrika, duhet të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, thuhet në raportet ku citohen personat, që janë informuar për takimin në Zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë. Trump ka folur derisa dy senatorë i kanë paraqitur detajet e një kompromisi dypartiak, me të cilin do të zgjeroheshin mbrojtjet kundër dëbimit të qindra mijëra imigrantëve të rinj dhe, po ashtu, do të forcoheshin mbrojtjet kufitare. Trump tha se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë më tepër imigrantë nga vendet, siç është Norvegjia, theksohet në këto raporte. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah, nuk e ka hedhur poshtë pohimin se Trump i ka bërë këto komente, të cilat janë kritikuar ashpër nga demokratët dhe republikanët në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. “Disa politikanë në Uashington kanë zgjedhur të luftojnë për vendet e jashtme, por Trump, gjithnjë do të luftojë për popullin amerikan”, tha Shah. Anëtari i Dhomës Përfaqësuese, demokrati Steny Hoyer, tha se komentet e Trumpit ishin “raciste dhe të turpshme”. Anëtarja e Dhomës Përfaqësuese, republikanja Mia Love, vajzë e imigrantëve nga Haiti, tha se sjellja e Trumpit është “e papranueshme nga lideri i vendit tonë” dhe tha se ai duhet të kërkoj falje.