Trump: Programi për mbrojtjen e imigrantëve ka marrë fund
Presidenti Donald Trump argumentoi sot se një program për të mbrojtur imigrantët e rinj nga deportimi është “ndoshta i dështuar”, duke thënë se demokratët e opozitës “nuk e duan atë” por vetëm duan të flasin rreth kësaj çështje.
Fati i programit që mbron gati 800,000 imigrantë nga deportimi, të cilët janë sjellë në Shtetet e Bashkuara qysh fëmijë nga prindërit e tyre është në qendër të debatit politik këtë javë në Uashington. Ai është pjesë e diskutimit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për buxhetin për të mënjanuar mbylljen e pjesshme të qeverisë kur agjencitë amerikane nuk do të kenë më fonde në mesnatën e së premtes. Presidenti Trump javën e kaluar kundërshtoi një propozim dypartiak ofruar nga tre senator demokratë dhe tre republikanë për të zgjatur programin e njohur si DACA që mbron imigrantët e rinj nga deportimi. Ligjvënësit bën thirrje gjithashtu për ndryshime të tjera në politikën e imigracionit, përfshi rritjen e financimit për sigurinë përgjatë kufirit me Meksikën. Presidenti Trump kërkon ndërtimin e një muri për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. Por gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump shkaktoi zemërim duke përdorur fjalor fyes për vende më të varfëra si Haiti, El Salvadori dhe vendet afrikane duke shtuar pyetjen përse më shumë imigrantë nga këto vende lejohen të vijnë në Shtetet e Bashkuara.