Turqia dislokon ushtrinë në kufi me Sirinë
(last modified Tue, 16 Jan 2018 16:54:53 GMT )
Janar 16, 2018 17:54 Europe/Tirane
  • Turqia dislokon ushtrinë në kufi me Sirinë

Turqia njoftohet se ka dërguar një konvoj prej mbi 40 automjete ushtarake dhe tanke në rajonet jugore përgjatë kufirit sirian pas rritjes së tensioneve mes Ankarasë dhe Uashingtonit mbi një plan të SHBA për të krijuar një "forcë kufitare" të kurdëve sirianë në afërsi të kufijve të Turqisë.

Burimet ushtarake turke, duke folur në kushte anonimiteti, i thanë të hënën agjencisë Anadolu se 40 tanke dhe automjete të blinduara kanë hyrë në rajonin Rejhanli të provincës Hataj të Turqisë, "për arsye përforcimi" të trupave turke në kufi me Sirinë. Gjithashtu, njësi të shumta të forcave tokësore të ushtrisë turke janë dislokuar në rajonin Viranshehir në provincën Sanliurfa, pranë kufirit me Sirinë. SHBA-të zemëruan të dielën partnerin e tyre në NATO, Turqinë, duke njoftuar se Uashingtoni dhe një koalicion i aleatëve të tij që pretendojnë se luftojnë kundër ISIS, do të punojnë me militantët e të ashtuquajturve Forca Demokratike Siriane (SDF) të mbështetura nga SHBA për të ngritur një "forcë kufitare" të përbërë nga 30,000 militantë kurdë. Duke reaguar ndaj njoftimit të ushtrisë amerikane, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan tha se Uashingtoni po "ndërton një ushtri terrori" në kufirin me Sirinë "dhe se është përgjegjësia jonë të mbysim këtë përpjekje përpara se të lindë".

 

Tags