SHBA: Mbyllje e qeverisë pas dështimit për arritje të marrëveshjes
https://parstoday.ir/sq/news/world-i67247-shba_mbyllje_e_qeverisë_pas_dështimit_për_arritje_të_marrëveshjes
Mbyllja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka hyrë në fuqi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën, meqë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi dështuan të arrijnë marrëveshje për legjislacionin e financimit për ta mbajtur qeverinë funksionale.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Janar 20, 2018 11:43 Europe/Tirane
  • SHBA: Mbyllje e qeverisë pas dështimit për arritje të marrëveshjes

Mbyllja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka hyrë në fuqi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën, meqë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi dështuan të arrijnë marrëveshje për legjislacionin e financimit për ta mbajtur qeverinë funksionale.

Dhoma Përfaqësuese e Kongresit e kishte miratuar legjislacionin për zgjatjen e financimit deri më 16 shkurt, por Senati dështoi të votojë për këtë masë para mesnatës së mbrëmshme. Demokratët e Senatit e bllokuan votimin e masës së përkohshme të financimit, në përpjekje për t’i detyruar republikanët që të zhvillojnë negociata për marrëveshje për mbrojtjen e afro 700 mijë emigrantëve nga dëbimi, të cilët kanë arritur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë dhe kanë qëndruar ilegalisht. Por, Shtëpia e Bardhë, pasi filloi mbyllja e qeverisë, tha se nuk do të bëjë negociata me demokratët për imigrim, derisa ata të pajtohen për zhbllokimin e qeverisë. “Ne nuk do të zhvillojmë negociata për statusn e imigrantëve të paligjshëm, derisa demokratët i mbajnë shtetasit tanë të ligjshëm peng të kërkesave të tyre të pamatura”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. Kjo është mbyllja e katërt e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në 25 vitet e fundit. Me këtë mbyllje bllokohen pjesërisht disa operacione qeveritare. Shërbimet e rëndësishme, përfshirë inspektimin e ushqimit, kontrollet e sigurisë në aeroporte dhe zbatimi federal i ligjit, do të vazhdojnë. Megjithatë, punonjësit federalë nuk do të paguhen.