Reagimi i Erdoganit ndaj kërkesës së SHBA për vetëpërmbajtje në Afrin
Turqia nisi të shtunën e kaluar operacionin e ashtuquajtur Dega e Ullirit në një përpjekje për të eliminuar militantët e YPG të mbështetur nga SHBA, të cilën Ankaraja e sheh si një organizatë terroriste dhe degën siriane të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, 22 civilë sirianë janë vrarë në sulmet artilerike dhe sulmet ajrore turke, dhe mijëra kanë ikur nga shtëpitë e tyre. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së James Mattis i ka bërë thirrje Turqisë të ushtrojë vetëpërmbajtje në fushatën e saj ushtarake kundër forcave kurde në Sirinë veriperëndimore. "Ne i marrim seriozisht shqetësimet legjitime të sigurisë së Turqisë dhe jemi të vendosur të punojmë me aleatët tanë të NATO-s mbi ato," tha Mattis në Xhakarta të martën në fillim të një turneu aziatik. "Ne i bëjmë thirrje Turqisë të ushtrojë vetëpërmbajtje në veprimin ushtarak në Siri". "Dhuna në Afrin shkatërron atë që ishte një zonë relativisht e qëndrueshme në Siri dhe çrregullon përpjekjet ndërkombëtare për të mposhtur ISIS-in", shtoi Mattis. Por në përgjigje të kërkesës së SHBA, Presidenti i Republikës së Turqisë ka kritikuar ashpër praninë e gjatë ushtarake të SHBA në Afganistan dhe Irak. Rexhep Taip Erdogan, president i Republikës së Turqisë, ka thënë: Operacionet në Afrin do të përfundojnë atëherë kur do të arrihen qëllimet tona. Erdogan duke kritikuar Uashingtonin, ka thënë se SHBA deklarojnë se operacioni në Afrin nuk duhet të zgjasë shumë. Unë gjithashtu i pyes SHBA-të, sa kohë do të qëndroni ju në Afganistan? Kur do të përfundojë misioni juaj në këtë vend? Ju erdhët në Irak para se ne të vinim në pushtet? A nuk ka përfunduar koha e pranisë tuaj ushtarake në Irak? Ju qëndroni akoma në këtë vend!” Erdogan i bëri këto deklarata në përgjigje të kritikave të fundit të pranisë ushtarake turke në Siri. Shtetet e Bashkuara i kërkuan Turqisë të dielën që të kufizojnë shkallën dhe kohën e operacioneve të saj ushtarake në Siri. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan sërish ka premtuar se trupat turke do të shtypin forcat e Mbrojtjes së Popullit Kurd (YPG) në Siri, duke thënë se grupi militant nuk mund të mbështetet në ndihmën e Uashingtonit për të mposhtur Turqinë. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan tha se Turqia po bën atë që është e nevojshme me operacionin e forcave turke në Afrin. Edhe sot, presidenti turk vazhdoi kritikat e tij ndaj SHBA-ve. Erdogan ka thënë se administrata e Obamës nuk ka zbatuar premtimet e bëra Turqisë mbi Sirinë dhe nuk ka kthyer rajonin Manbixh tek pronarët e tij të vërtetë, duke shtuar: "Ne tani po kërkojmë drejtësi në këtë vend, jo grabitje të tokës". "Gjatë administratës së Obamës, u krye një operacion, qëllimi i të cilit ishte të pastronte terroristët. Por ai (Obama) nuk i mbajti premtimet e tij dhe na mashtroi", tha Erdogan. Presidenti turk tha se Shtetet e Bashkuara nuk e zbatuan premtimin e tyre për ti shtyrë militantët kurdë nga Manbixhi dhe Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, duke pretenduar se asnjë banor kurd nuk ndodhej në Manbixh ose Kobani, por SHBA i lejoi ata t'i zaptonin këto zona.