Gjermania ndal eksportin e armëve në Turqi
Gjermania ka ngrirë të gjitha vendimet për eksportet e armëve të ardhshme, duke përfshirë modernizimin e "tankeve leopard" të Turqisë, mes operacionit të Ankarasë në Afrin.
Turqia thotë se pret solidaritet nga aleati i saj. Berlini nuk do të marrë asnjë vendim për transferimet "e rëndësishme" të armëve në vende të huaja, duke përfshirë aleatin e saj të NATO-s, Turqia, njoftoi fillimisht revista "Der Spiegel". Vendimi ka gjasa të ndikojë në përmirësimin e shumëpritur të tankeve të Turqisë të prodhuara në Gjermani. "Për sa i përket diskutimeve aktuale mbi eksportet e armëve, qeveria është e qartë se nuk na lejohet dhe nuk do të dorëzojë armatimet në rajonet e krizës", tha kryediplomati gjerman Siegmar Gabriel. Në vend të kësaj, çështja do të kalojë te qeveria e ardhshme, për të cilën Angela Merkel po lufton për ta formuar pas zgjedhjeve të 24 shtatorit, sipas deklaratës. Gabriel tha gjithashtu se qeveria aktuale "është shumë e shqetësuar për konfliktin e armatosur që po ndodh në Sirinë veriore". Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka kërkuar gjithashtu NATO-s që të diskutojë zhvillimet e fundit në Sirinë veriore.