Çavushoglu: “Ne nuk jemi Franca, e cila pushtoi Afrikën”
Turqia ka hedhur poshtë paralajmërimin e Francës ndaj fushatës ushtarake të Ankarasë kundër militantëve kurdë të mbështetur nga SHBA në Siri, duke e përshkruar atë si ofendim.
"Ne e konsiderojmë ofendim faktin që një vend si Franca të na paralajmërojë kundër një veprimi që po bëjmë në përputhje me ligjet ndërkombëtare ", u tha gazetarëve të enjten në Ankara, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu. Ai e bëri këtë deklaratë një ditë pasi presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi Turqinë se operacioni në qytetin sirian Afrin nuk duhet të bëhet justifikim për të pushtuar territorin sirian. Në përgjigje, diplomati i lartë turk iu referua të kaluarës kolonialiste të Francës, duke thënë: "Ne nuk jemi Franca, e cila pushtoi Afrikën". Ai tha se Turqia po përdorte të drejtën e saj për vetëmbrojtje. "Kjo është në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe jo një pushtim," tha shefi i diplomacisë turke. Cavusoglu më tej kritikoi krerët evropianë për "qëndrim dyfytyrësh", duke thënë se fillimisht gjatë bisedimeve në Ankara ata kishin shprehur mbështetje për fushatën e Turqisë në Siri, por ndryshuan qëndrimin e tyre më vonë në deklaratat publike.