Putini, Netanjahut: Mos bëni veprime që çojnë në luftë rajonale
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të shmangur çdo hap që do të çonte në një konfrontim të ri në rajon pas sulmeve ajrore izraelite mbi Sirinë.
Gjatë një telefonate të shtunën në mbrëmje, Putin dhe Netanjahu diskutuan zhvillimet e fundit në Siri. "Ata diskutuan situatën rreth veprimeve të forcave ajrore izraelite, të cilat kryen sulme kundër objektivave në Siri", citoi Interfax zyrën për shtyp të Kremlinit. "Pala ruse bëri thirrje për ndaljen e çdo veprimi , që mund të shkaktojë një spirale të re të konfrontimeve të rrezikshme për të gjithë në rajon", njoftoi shërbimi për shtyp i Kremlinit. "Orët e fundit kam biseduar me presidentin rus Vladimir Putin," tha Netanjahu cituar nga zyra e tij e shtypit. "Ne ramë dakord që koordinimi i sigurisë midis vendeve tona të vazhdojë".Edhe Ministria e Jashtme ruse u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin ushtarak në vazhdim të Sirisë për të respektuar integritetin territorial të vendit pasi Izraeli sulmoi pozicionet siriane brenda Sirisë, duke thënë se krijimi i kërcënimeve në Siri, ku Rusia është e pranishme ushtarakisht, është e papranueshme. "Moska është thellësisht e shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe sulmet mbi Sirinë. Rreziku i përshkallëzimit të tensioneve brenda dhe rreth zonave të reduktimit të tensionit, të cilat janë bërë një faktor i rëndësishëm në reduktimin e dhunës në Siri, është një shqetësim i veçantë," theksoi të shtunën Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.