Trump kërcënon Kinën dhe Korenë e Jugut
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka kërcënuar të vendosë sanksione ndaj Kinës, si dhe ka premtuar të anulojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Korenë e Jugut.
Kërcënimi i tij ndaj dy partnerëve kryesorë tregtarë aziatikë erdhi në një takim me një grup ligjvënësish republikanë dhe demokratë në Shtëpinë e Bardhë. Trump akuzoi Pekinin për minimin e industrisë amerikane të çelikut dhe aluminit, duke thënë se ai ishte duke "shqyrtuar të gjitha opsionet", duke përfshirë tarifat dhe kuotat. Ndërkohë, Kina, e cila prodhon pothuajse gjysmën e çelikut në botë, akuzohet për përmbytjen e tregut në mënyrë që ekonomia e saj të mbetet e fuqishme. "Unë do të marr një vendim që pasqyron interesat më të mira të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë nevojën për të trajtuar mbiprodhimin në Kinë dhe në vende të tjera," tha Trump. "Ata po minojnë dhe shkatërrojnë industrinë tonë, dhe shkatërrojnë familjet e punëtorëve, dhe ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë", shtoi ai. Trump gjithashtu sulmoi edhe Korenë e Jugut në shenjë zemërimi ndaj përmirësimit në marrëdhëniet midis Seulit dhe Penianit. Ai e përshkroi marrëveshjen e tregtisë së lirë të vitit 2012 me Korenë e Jugut si një "katastrofë", duke thënë se Uashingtoni do të rinegociojë një "marrëveshje të drejtë" ose do ta anulonte atë plotësisht. "Ne kemi një marrëveshje shumë, shumë të keqe tregtare me Korenë," tha Trump. "Për ne kjo marrëveshje nuk krijoi asgjë përveç humbjeve", nënvizoi presidenti amerikan.