Përshkallëzimi i tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë mbi ishujt e diskutueshëm
Nuk ka fund lufta verbale mes Turqisë dhe Greqisë edhe një muaj pas tensioneve me rastin e 21-vjetorit të krizës ushtarake mbi sovranitetin e disa ishujve të pabanuar grekë të Imias apo Kardak në turqisht, në detin Egje.
Ministri i Jashtëm turk, Cavushoglu e kritikoi mjaft ashpër homologun e tij grek, Koxias, duke e konsideruar si “një fëmijë i llastuar”. Cavushoglu tha se ministri grek, Koxias bënte shpesh deklarata të karakterit luftënxitës. “Turqia i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve me Greqinë… Ka dallime në mendime, por ka mekanizma për zgjidhjen e problemeve. Angazhohemi që të mos ndodhin tensione. Por, ky partner i koalicionit në qeverinë greke vazhdimisht merr hapa që do të mënjanonte mirëkuptimin tonë”, shtoi ai. “Edhe durimi e ka një kufi”, theksoi Cavushoglu. Sipas tij, Turqia dhe Greqia janë fqinjë të mirë, por, gjithashtu, kanë probleme që duhen zgjidhur. Gjiri i Piranos është ribërë molla e sherrit mes Sllovenisë dhe Kroacisë, për çështjen e kufirit detar, të drejtat e peshkimit dhe të lundrimit në një korridor prej 12 kilometrash katrorë. Të dyja shtetet janë anëtare të NATO dhe BE, që e shpallën pavarësinë pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë më 1991. “Teshtima” e tensionit mes tyr, mund të sjelli rikthimin e “ftohjes” kronike në Ballkan e për rrjedhojë të provokojë tensione të reja, duke minuar një proces dialogu mes vendeve që presin zhvillime pozitive këtë vit, për aspiratën e tyre të integrimit në BE. Këto tensione nuk janë të vetmet brenda zonës europiane të Ballkanit. Edhe Bullgaria dhe Rumania grinden prej vitesh për një territor të debatuar mes tyre prej 17 kilometrash katorë në Detin e Zi. Nga ana tjetër brenda BE-së, Spanja ende vuan pasojat e referendumit për pavarësinë e Katalonjës. Qipro që është pranuar në BE vetëm me gjysmën e saj greke, është treguar e zellshme në gatishmërinë e bashkëpunimit, me Rusinë. Greqia, një vend tjetër anëtar i BE dhe NATO-s është në bisedime me Shqipërinë në lidhje për disa çështje të bartura historike, përfshi “pataten e nxehtë” të ndarjes së kufirit detar mes tyre. Nga ana tjetër Greqia vijon prej dekadash të jetojë në një gjendje tensioni pothuajse permanent me Turqinë për çështjen e ishujve të diskutueshëm. Festimet e 10 vjetorit të pavarësisë rihapën diskutimin e tezës së ndryshimit të kufijve nëpërmjet ndarjes së veriut të Kosovës. Prishtina dhe Podgorica janë nga ana tjetër, në orët e fundit të tratativave për ta zgjidhur zyrtarisht, çështjen e demarkacionit të kufirit mes tyre. Të gjitha këto tensione dhe mosmarrëveshje të vjetra dhe të reja për “punë kufijsh” brenda BE e në Ballkan, mu rikujtuan në kulmin e një debati shqiptar për marrëveshjen e dosjes mbi 70 vjeçare të problemeve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Një debat “paradhënie” ky, ku janë përfshirë shumë njerëz, duke konsumuar energji shpeshherë të panevojshme, për çështje që ende nuk kanë filluar të negociohen zyrtarisht. E për të cilat përveç shprehjes së vullnetit dhe dakordësisë në parim, nuk ka asnjë copë letër të shkruar dhe asnjë hartë të vizatuar.