NATO: Paralajmërimet ruse kundër aleatëve, të papranueshme
Paralajmërimet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për aleatët e NATO-s janë “të papranueshme” dhe nuk iu ndihmojnë përpjekjeve për të ulur tensionet, tha aleanca të premten, një ditë pasi lideri rus tha se vendi tij ka zhvilluar armë të reja bërthamore.
“Deklaratat ruse, që kërcënojnë me sulme ndaj aleatëve, janë të papranueshme dhe kundërproduktive”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, transmeton Reuters. “Ne nuk duam një Luftë të re të Ftohtë ose një garë të re të armatimit”, tha Lungescu, duke shtuar se sistemi i mbrojtjes raketore në Evropë nuk është kundër Rusisë. Të enjten, Putin ka thënë se Rusia ka zhvilluar armë të reja strategjike, përfshirë një raketë me fuqi bërthamore, e cila, sipas tij, mund të fluturojë për kohë të pacaktuar.