Rrëzohet avioni rus në Siri, 32 viktima
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se një aeroplan i transportit i ushtrisë ruse u rrëzua në Siri, duke vrarë të paktën 32 vetë në bord.
Ministria tha në një deklaratë të martën se 26 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e aeroplanit kur u rrëzua ndërkohë që po ulej në bazën ajrore Hmeimim në provincën perëndimore siriane Latakia. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte nisur një hetim mbi incidentin, i cili thuhet se ishte shkaktuar nga një mosfunksionim teknik. Ajo shtoi se të dhënat paraprake të marra nga vendi i rrëzimit, rreth 500 metra nga pista, treguan se nuk kishte asnjë sulm terrorist. Kjo është hera e dytë që një An-26, një avion transportues ushtarak i aftë për të transportuar deri në 38 pasagjerë dhe rreth 5,500 kilogramë ngarkesë, rrëzohet në Siri.