Marrëveshja ushtarake Londër-Riad, turp kombëtar
https://parstoday.ir/sq/news/world-i70743-marrëveshja_ushtarake_londër_riad_turp_kombëtar
Arabia Saudite dhe Britania kanë vendosur të finalizojnë një marrëveshje shumë-miliardë dollarëshe për shitjen e 48 avionëve Typhoon regjimit të Riadit, pavarësisht protestave masive kundër furnizimit me armë britanike mbretërisë arabe gjatë agresionit vdekjeprurës kundër Jemenit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 10, 2018 16:38 Europe/Tirane
  • Marrëveshja ushtarake Londër-Riad, turp kombëtar

Arabia Saudite dhe Britania kanë vendosur të finalizojnë një marrëveshje shumë-miliardë dollarëshe për shitjen e 48 avionëve Typhoon regjimit të Riadit, pavarësisht protestave masive kundër furnizimit me armë britanike mbretërisë arabe gjatë agresionit vdekjeprurës kundër Jemenit.

Drejtorja e Amnesty International për Britaninë, Kate Allen, e dënoi marrëveshjen, duke thënë se "shitja e më shumë avionëve luftarakë një vendi që kryeson një koalicion ushtarak që po bombardon shtëpitë, spitalet dhe shkollat në Jemen, është vetëm duke shtuar benzinë në një zjarr humanitar". " Kjo marrëveshje e turpshme do të festohet në pallatet e Riadit dhe nga kompanitë e armëve që do të përfitojnë prej saj, por do të thotë shkatërrim edhe më i madh për popullin e Jemenit", tha Andrew Smith i fushatës kundër tregtisë së armëve. Sipas fushatës kundër tregtisë së armëve, gjatë tri viteve të fundit, Britania e ka rritur në 6.4 miliardë dollarë shitjen e armëve në Arabinë Saudite. Lideri i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn ka akuzuar qeverinë britanike për "bashkëpunim" në krimet e luftës në Jemen. Corbyn duke folur për marrëveshjen e re të armëve tha: " Kjo marrëveshje do të shtojë edhe më shumë vuajtjet e popullit jemenas dhe krimet e  Arabisë Saudite në luftën kundër Jemenit dhe është një turp kombëtar". Allan Hogarth, kreu i politikave dhe çështjeve qeveritare në sektorin britanik të Amnesty International, gjithashtu shprehu shqetësim lidhur me marrëveshjen. Ai tha: " Britania e Madhe po armatos një koalicion ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, që hedh bomba në shtëpitë, spitalet dhe shkollat në Jemen, dhe kjo ngre pyetje shqetësuese". "Qeveria britanike e di se çfarë po bën Arabia Saudite në Jemen, por Britania po bën para për vete", tha aktivisti britanik Robert Inlakesh, duke iu referuar shitjeve britanike të armëve në Arabinë Saudite. Duke u përballur me parashikime të zymta ekonomike për vitet e ardhshme, pas përfundimit të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, Londra ka kërkuar furishëm për blerës të armëve të reja, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të siguruar sa më shumë të jetë e mundur marrëveshje tregtare. Etja për më shumë shitje të armëve në disa raste ka çuar në shkeljen e rregullave të qeverisë britanike për shmangien e biznesit me regjime represive që shkelin të drejtat e qytetarëve të tyre. Para se të dorëhiqej nga posti i tij pas një skandali seksual vitin e kaluar, ish Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, u kërkoi ligjvënësve britanikë të ndalonin kritikat ndaj  shitjeve të armëve Arabisë Saudite, duke thënë se kritika të tilla "nuk ishin të dobishme". Në shkurt të vitit 2017, Londra propozoi një lëvdatë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Riadin dhe aleatin kryesor të tij, Emiratet e Bashkuara Arabe, për ofrimin e fondeve për të lehtësuar një krizë humanitare të shkaktuar prej tyre në Jemen. Ndoshta tani e dimë pse.