OKB: Përdorimi i agjentit nervor, i papranueshëm
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha të mërkurën se përdorimi i një agjenti nervor në një sulm ndaj një ish spiuni rus në Britani ishte "i papranueshëm" dhe bëri thirrje për një hetim tërësor.
"Përdorimi i agjentëve nervorë si armë në asnjë rrethanë nuk është i pranueshëm dhe përdorimi i tij nga një shtet do të përbënte një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare," theksoi Guterres. Deklaratat e Guterres vijnë përpara një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të thirrur me kërkesën e Britanisë për të diskutuar sulmin që la në gjendje kritike ish spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij. Kryeministrja britanike Theresa May dëboi 23 diplomatë rusë dhe pezulloi kontaktet e nivelit të lartë me Rusinë pasi Moska nuk iu përgjigj kërkesës së saj për një shpjegim. May i tha parlamentit britanik se shteti rus ishte "fajtor" për tentativën e vrasjes së Skripal dhe të bijës së tij. Moska ka mohuar ndonjë përfshirje në këtë sulm ku është përdorur agjenti nervor Novichok, i cili është zhvilluar nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë u trashëgua nga Rusia.