Merkel: Myslimanët dhe Islami i përkasin Gjermanisë
“Në ditët tona tanimë në Gjermani jetojnë 4 milionë muslimanë. Pra, edhe muslimanët i përkasin Gjermanisë si dhe feja e tyre Islami”, tha kancelarja gjermane, Merkel.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se edhe muslimanët dhe feja e tyre Islami i përkasin Gjermanisë. Merkel pas takimit me kryeministrin e Suedisë, Stefan Löfven mbajti një konferencë për media ku u përgjigj në pyetjen e një gazetari lidhur me atë se çfarë mendon për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Ndërtimit dhe Atdheut të Gjermanisë, Horst Seehofer se “Islami nuk i përket Gjermanisë”. Ajo tha se krishterizmi dhe judaizmi kanë lënë gjurmë në të kaluarën e Gjermanisë, por që në ditët e sotme edhe Islami është shndërruar në një pjesë të shtetit për shkak të 4 milionë muslimanëve që jetojnë në këtë vend. Merkel vuri në dukje se duhet treguar përpjekje për një jetesë të përbashkët dhe paqësore në mes të feve.