Mosmarrëveshjet e para në koalicionin qeverisës të Gjermanisë
Deklaratat anti-islame të ministrit të ri të brendshëm të Gjermanisë ka shkaktuar reagime të gjera në qarqet politike dhe mediatike të këtij vendi. Deklarata e liderit të socialdemokratëve në Gjermani ka shkaktuar edhe mosmarrëveshje në koalicionin e ri qeverisës në vend.
Islami nuk i përket Gjermanisë, të paktën sipas pikëpamjes së ministrit të ri të brendshëm të vendit. Horst Seehofer, i sapocaktuar në këtë pozicion deklaroi se ai do të hartojë një politikë të re ndaj emigrantëve, në kundërshtim me pikëpamjet e kancelares Angela Merkel. Ministri i ri i Brendshëm i Gjermanisë beson se islami nuk i përket vendit. Në një intervistë për të përditshmen Bild, Horst Seehofer parashtroi një sërë politikash të ashpra për emigracionin, në kontrast të plotë me pikëpamjet e kancelares Angela Merkel. “Islami nuk i përket Gjermanisë. Natyrisht, myslimanët që jetojnë këtu i përkasin vendit. Por mesazhi im është ky: myslimanët duhet të jetojnë me ne, jo pranë ose kundër nesh,” u shpreh ministri i ri i brendshëm, ndërkohë që shtoi se Gjermania nuk duhet të heqë dorë nga zakonet dhe traditat e saj, në qendër të të cilave qëndron krishtërimi. Seehofer, anëtar i aleatëve bavarezë Kristian-Socialistë të Merkel, ripërsëriti planet e tij për të ndërmarrë masa të reja për dëbime më të shpejta, ndërkohë që shtoi se do të riklasifikonte vendet e sigurta të origjinës, për të lehtësuar procesin e riadhesimit për azil-kërkuesit e refuzuar. Deklaratat e ministrit të brendshëm vijnë pasi blloku konservator i Merkel, humbi terren të rëndësishëm politik ndaj partisë anti-emigracionit Alternativa për Gjermaninë, në zgjedhjet federale të vitit të kaluar. Qeveria përllogarit se janë rreth 4.7 milionë myslimanë të cilët jetojnë në Gjermani. Shumica prej tyre janë me origjinë turke dhe mëse 1 milionë emigrantë të cilët mbërritën pas politikës me dyer të hapura të Angela Merkel në 2015, janë gjithashtu të besimit musliman. Ditë më parë Bundestagu gjerman i ka dhënë fund pritjes së gjatë pas zgjedhjeve federale, duke rizgjedhur Angela Merkel si kancelaren e vendit. Ligjbërësit votuan 364 me 315 në favor të Merkel, ndërkohë që 9 deputetë abstenuan, një fillim modest ky për kancelaren, pasi koalicioni i konservatorëve të saj dhe Social-Demokratëve të qendrës së djathtë ka 399 vota në dhomën e ulët të parlamentit. Por rizgjedhja e Merkel nuk kaloi pa incidente. Gjatë kohës që kancelarja largohej nga parlamenti për t’ju drejtuar presidencës, një person i paidentifikuar është përpjekur ta pengojë, duke kërkuar që Merkel ta ndihmonte. Dy oficerë të policisë ndërhynë për të qetësuar situatën. Ky mandat i katërt me gjasa do të jetë i fundit për zonjën Merkel dhe shihet si më sfiduesi për të. Kancelarja nuk gëzon më mbështetjen e dikurshme, ndërkohë që edhe koalicioni i saj me Social-Demokratët shihet si një aleancë e brishtë, e arritur vetëm pas shumë sakrificash të të dy partive në raport me njëra-tjetrën. Për kundërshtarët e Merkel, diferenca e vogël në rizgjedhjen e saj, tregon se kancelarja ka humbur autoritetin e saj, ndërkohë që koalicionit qeverisës i mungon dëshira për të ndryshuar politikën e vendit dhe shoqërinë.