Britania e Madhe nuk do të tolerojë kërcënimet ndaj britanikëve
Kryeministrja britanike Theresa May ka paralajmëruar Rusinë se Britania e Madhe nuk do të tolerojë ndonjë lëvizje që kërcënon jetën e britanikëve.
"Shumë rusë e kanë bërë këtë vend shtëpinë e tyre. Dhe ata që i përmbahen ligjeve tona dhe japin një kontribut për shoqërinë tonë, gjithmonë do të jenë të mirëpritur", tha May. "Por ne kurrë nuk do të tolerojmë një kërcënim për jetën e qytetarëve britanikë dhe të tjerëve në tokën britanike nga Qeveria Ruse", shtoi ajo. Më herët, ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson u bë i pari që e akuzoi drejtpërdrejt shefin e Kremlinit, duke thënë se urdhri për helmimin e Skripal me shumë gjasë ishte dhënë prej tij. Ndërkaq mediat britanike që citojnë hetues, raportojnë se agjenti nervor i prodhuar në Rusi ishte fshehur në valixhen e vajzës para se ajo të udhëtonte nga Moska. Po shqyrtohet mundësia që substanca kimike të ketë prekur ndonjë veshje apo dhuratë që është hapur në shtëpinë e Skripal në Salisbury. Megjithatë nga raportimet e të përditshmes “Telegraph” nuk është e qartë nëse kjo hipotezë bazohet në ndonjë provë konkrete apo nëse është vënë në tryezë mbi bazë të teorisë së përjashtimit.