Britania dhe Bashkimi Europian bien në ujdi për Brexit-in
Britania dhe Bashkimi Europian kanë arritur marrëveshjen që do të çojë në tërheqjen e rregullt të britanikëve nga unioni.
Negociatorët e Brexit Michel Barnier dhe David Davis deklaruan se ata kanë rënë dakord në kushtet për periudhën e tranzicionit, duke e konsideruar këtë lajmërim si “një hap vendimtar”. Sidoqoftë, mbeten ende për t’u zgjidhur edhe të tjera çështje, përfshi edhe kufiri me Irlandën e Veriut. Periudha e tranzicionit është vendosur të zgjasë nga 29 marsi 2019 deri në dhjetor 2020 dhe si qëllim do të ketë stabilizimin e një marrëdhënieje të ardhshme të përhershme mes palëve.Zoti Barnier deklaroi se është arritur gjithashtu marrëveshja për të drejtat e 4.5 milionë qytetarëve europianë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të 1.2 milionë qytetarëve britanikë që jetojnë në BE pas Brexit. Të dyja palët negociatore shpresojnë se marrëveshja e rëndësishme e arritur për periudhën e tranzicionit do të nënshkruhet nga liderët europianë në një samit të BE-së që do të zhvillohet këtë javë.