8 vende evropiane mirëpresin riorganizimin e referendumit për Brexit
Krerët e 8 vendeve evropiane pasi kanë shprehur keqardhjen e tyre nga vendimi i popullit anglez për të dalë nga BE, kanë mirëpritur planin e kreut të partisë Liberal-Demokrate për riorganizimin e një referendumi përfundimtar për Brexit.
Ndërkohë roli që Britania po merr në afrimin e vendeve të Ballkanit me BE-në vazhdon të ngjallë interesin e opinionistëve britanikë, të fokusuar këtë herë jo më tek Theresa May, por tek sekretari i saj i jashtëm, Boris Johnson. Njeriu që drejton Ministrinë e Jashtme e që u shfaq si një mbështetës i ethshëm i Brexit-it, tani do të bëjë avokatin mbrojtës të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian shkruan website i pavarur, “The Conversation”, produkt i një komuniteti kërkimor e akademik. Shteti që vetë përgatitet ta lërë bllokun do të predikojë anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë, Serbisë, Kosovës e Malit të Zi. Një vend, i cili kërkon ta rimarrë kontrollin nga duart e Brukselit këshillon të tjerët t`i afrohen supershtetit. Samiti i Londrës në muajin korrik do të mbledhë bashkë krerët e 6 vendeve të rajonit dhe ata të Britanisë, Gjermanisë, Italisë, Francës e Austrisë. Është pjesë e procesit të Berlinit, në të cilin Britania e ka një rol për ta luajtur pavarësisht shkëputjes së saj. Ky rol mund të përfshijë ekspertizën e sigurisë. Rreziku i fondamentalizmit islamik, ai i krimit të organizuar, konkurrenca gjeoekonomike dhe gjeopolitike nga Kina, Rusia apo Turqia ekzistojnë në vazhdimësi, ashtu si edhe çështjet e pazgjidhura të kufijve mes disa ish-shteteve të Jugosllavisë, të cilat mund të prekin stabilitetin.Sfida me e madhe për Johnson dhe ministrinë e tij të jashtme, mbetet sipas “The Conversation”, gjetja e mënyrave për të bashkëpunuar në mënyrë efektive me Bashkimin Europian, duke synuar përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane, tamam në kohën kur Britania e Madhe po e përjashton veten prej saj.