Qëndrimi i liderëve të BE kundër Rusisë: Solidarizimi me Britaninë
Duke fajësuar Rusinë për sulmin kimik ndaj një ish-spiuni rus në Britani, Bashkimi Europian ka vendosur tërheqjen e ambasadorit të unionit nga Moska.
Shtete të ndryshme anëtare të BE gjithashtu po konsiderojnë përjashtimin e diplomatëve rusë nga vendet e tyre si përgjigje ndaj kësaj ngjarjeje. Në shenjë solidariteti me Mbretërinë e Bashkuar, edhe Bashkimi Europian ka tërhequr ambasadorin përfaqësues të unionit në Moskë. Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilli Europian shprehu bindjen se Rusia fshihet pas sulmit kimik ndaj ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani dhe se për këtë “nuk ka një shpjegim alternativ të besueshëm”. “Këshilli dënon me forcë sulmin, shpreh solidaritetin me të gjithë personat, jetët e të cilëve janë kërcënuar dhe garanton mbështetjen për hetimin në vijim,” shprehen liderët europianë. Kryeministrja britanike Theresa May urdhëroi përjashtimin e 23 diplomatëve rusë në përgjigje të sulmit të 4 marsit ndaj Skripal dhe të bijës, Yulia. Lëvizja çoi në reagimin e njëjtë të Moskës, që vendosi përjashtimin e diplomatëve britanikë nga vendi. Për më tepër, Rusia mohoi përfshirjen në sulmin që ka krijuar një tjetër krizë madhore në marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Perëndimit dhe Moskës. Edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian po konsiderojnë mundësinë e përjashtimit të diplomatëve rusë nga vendet e tyre, gjë që shënon një fitore për kryeministren May, e cila merr mbështetje në shkallë të gjerë ndërkohë që vendi i saj negocion daljen nga unioni. Sidoqoftë, nuk kanë munguar as zërat kundërshtues si ai i kryeministrit grek Alexis Tsipras, apo i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, të cilët kanë kërkuar hetim të ngjarjes dhe ruajtje të komunikimit me Rusinë. Substanca e përdorur në helmimin e Sergei Skripal mund të ketë origjinën nga vendet që studiojnë agjentin nervor "Novichok", përfshirë Britaninë e Madhe, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Suedinë, tha Ministria e Jashtme e Rusisë. "Burimi më i mundshëm i origjinës së toksinës janë vendet që kanë kryer kërkime të thella për substancën nga programi" Novichok ", përafërsisht që nga fundi i viteve 1990 deri tani dhe ky projekt nuk është vepër e Rusisë apo Bashkimit Sovjetik,"-tha të shtunën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova. Ajo listoi Mbretërinë e Bashkuar, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Suedinë midis vendeve të përfshira. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu duhet të "vihen në dyshim,"- u shpreh Zakharova në një intervistë për VGTRK. " Si dolën ata në përfundim për një gjurmë ruse nëse nuk na dhanë ato mostra? Logjikisht ata nuk duhet ta kenë këtë substancë. Cilat mostra kanë krahasuar me të për të nxjerrë një përfundim të tillë?”-vazhdoi ajo. “Ngrihen pyetje: Atëherë, ata duhet të kenë mostra, të cilat ata i fshehin, ose është gënjeshtër që nga fillimi deri në fund. Nëse kryeministri i Britanisë së Madhe dhe ekspertë të tjerë britanikë japin formulën, atëherë do të jetë e qartë se cilat vende kanë zhvilluar këto agjentë.” Vërejtjet e Zakharovës i bëjnë jeohnë fjalëve të përfaqësuesit të Rusisë në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË), Aleksandr Shulgin, i cili tha se studimet për 'Novichok' u hoqën nga Bashkimi Sovjetik pas rënies së tij. Ndërsa Shulgin nuk e ka treguar se ku është kontrabanduar programi, ai tha se burimi i substancës së përdorur në Salisbury, është i fshehur në një nga vendet ku ky hulumtim ka vazhduar dhe ka arritur sukses të caktuar.