Qëndrimi i krerëve të Evropës kundër Rusisë
Krerët e BE duke mbështetur Britaninë e Madhe, kanë dalë kundër Rusisë.
Theresa May gjatë takimit të fundit të krerëve të BE është munduar të bindë homologët e saj për të reaguar ndaj Rusisë dhe presidentit Vladimir Putin. Kërkesa e kryeministres angleze ka marrë përgjigjen pozitive të krerëve të BE. Duke fajësuar Rusinë për sulmin kimik ndaj një ish-spiuni rus në Britani, Bashkimi Europian ka vendosur tërheqjen e ambasadorit të unionit nga Moska. Shtete të ndryshme anëtare të BE gjithashtu po konsiderojnë përjashtimin e diplomatëve rusë nga vendet e tyre si përgjigje ndaj kësaj ngjarjeje. Në shenjë solidariteti me Mbretërinë e Bashkuar, edhe Bashkimi Europian ka tërhequr ambasadorin përfaqësues të unionit në Moskë. Përmes një deklarate të përbashkët, Këshilli Europian shprehu bindjen se Rusia fshihet pas sulmit kimik ndaj ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Britani dhe se për këtë “nuk ka një shpjegim alternativ të besueshëm”. “Këshilli dënon me forcë sulmin, shpreh solidaritetin me të gjithë personat, jetët e të cilëve janë kërcënuar dhe garanton mbështetjen për hetimin në vijim,” shprehen liderët europianë. Kryeministrja britanike Theresa May urdhëroi përjashtimin e 23 diplomatëve rusë në përgjigje të sulmit të 4 marsit ndaj Skripal dhe të bijës, Yulia. Lëvizja çoi në reagimin e njëjtë të Moskës, që vendosi përjashtimin e diplomatëve britanikë nga vendi. Për më tepër, Rusia mohoi përfshirjen në sulmin që ka krijuar një tjetër krizë madhore në marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Perëndimit dhe Moskës. Edhe shtete të tjera anëtare të Bashkimit Europian po konsiderojnë mundësinë e përjashtimit të diplomatëve rusë nga vendet e tyre, gjë që shënon një fitore për kryeministren May, e cila merr mbështetje në shkallë të gjerë ndërkohë që vendi i saj negocion daljen nga unioni. Sidoqoftë, nuk kanë munguar as zërat kundërshtues si ai i kryeministrit grek Alexis Tsipras, apo i Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, të cilët kanë kërkuar hetim të ngjarjes dhe ruajtje të komunikimit me Rusinë. Agjentë të shërbimeve sekrete ruse dhe diplomatë rusë do të dëbohen nga Bashkimi Europian gjatë javës së ardhshme, si reagim ndaj përdorimit të agjentit nervor në Salisbury, gjë që nga presidenti francez Emmanuel Macron u përshkrua si një sulm ndaj integritetit europian. Të paktën 10 anëtarë të Bashkimit Europian do të urdhërojnë zyrtarët rusë të largohen nga vendet e tyre. Pritet gjithashtu, që në javët në vazhdim të rritet edhe më shumë numri i vendeve europiane që po i përgjigjen thirrjes së Mbretërisë së Bashkuar për aksion. “Ajo që ndodhi në Britaninë e Madhe nuk ishte parrë kurrë. Ishte një agresion ndaj sigurisë dhe sovranitetit të një aleati, që kërkon reagim”, deklaroi Macron në fund të samitit europian, ku udhëheqësit e BE-së ranë dakord se ka shumë mundësi, që sulmi ndaj ish-agjentit Sergei Skripal të jetë vepër e Moskës. Franca dhe Gjermania ishin vendet e para që mbështetën Britaninë e Madhe, e Kancelarja Angela Merkel deklaroi se duhen marrë masa të tjera ndaj Moskës, veç tërheqjes së ambasadorit të BE-së nga atje. Mes vendeve që po përgatiten të dëbojnë diplomatët rusë janë Franca, Gjermania, Polonia, Irlanda, Holanda, Estonia, Letonia, Lituania, Bullgaria, Republika Çeke dhe Danimarka. Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha se Rusia e ka ulur veten në një nivel që BE-ja s’mund ta ndjekë kurrë. “Megjithëse ka interesa të ndryshme mes vendeve anëtare me Rusinë, e jo të gjithë do të marrin masa, – deklaroi Tusk, – reagimi i bllokut do të jetë i paprecedentë”.