50 luftëtarë të ISIS kanë hyrë në Itali
Ministri i Brendshëm italian Marco Minniti ka deklaruar se alarmi i rrezikut terrorist veçanërisht në Romë mbetet i lartë.
"Rënia e Mosulit dhe e Rakas ka reduktuar kufijtë territorial të ISIS por në të njëjtën kohë ka rritur rrezikshmërinë terroriste", është shprehur ai. Sipas Ministrit të Brendshëm Italian, "ISIS ka aftësinë të mbledhë rreth vetes 25-30 mijë luftëtarë nga 100 vende të ndryshme, duke u bërë legjioni më i madh i huaj që njeh deri më sot historia moderne. Mjaft prej tyre nuk jetojnë më, por të mbijetuarit po përpiqen të strehohen kudo dhe në Evropë", tha ai. Alarmi i rrezikut terrorist në Itali është pohuar dhe nga Prokurori i Antimafias italiane Federiko Calfiero De Raho i cili ka informuar se rreth 50 pjesëtarë të ISIS kanë hyrë në territorin italian e se Italia konsiderohet si një vend kalimi për ta,".Por sipas prokurorit të Antimafias italiane, ekziston një rrezik efektiv i përgjithshëm terrorizmi në Itali e jo një preokupim më i madh se në të shkuarën. "Pa dashur të hedh poshtë alarmin e ministrit Minniti, tha ai, mendoj se alarmi i terrorizmit nuk është kaq i lartë. Aktiviteti parandalues i autoriteteve italiane është konstant."