Perëndimi nuk do që Kupa e Botës të zhvillohet në Rusi
Britania dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ndalojnë zhvillimin e Kupës së Botës në Rusi.
Ka qenë kjo akuza e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova lidhur me situatën e tensionuar të krijuar mes Moskës dhe Perëndimit, pas helmimit të ish-spiunit rus Sergei Skripal në Britani. Në një intervistë të gjatë për një stacion televiziv rus , Zakharova u shpreh: “Kam përshtypjen se atyre ju intereson ta heqin Kampionatin Botëror nga Rusia. Ata do të përdorin çdo mënyrë. Mendja e tyre punon vetëm që topi i futbollit të mos prekë fushën e blertë ruse.” Prej thuajse një muaji, Britania është përpjekur të ndëshkojë Rusinë, të cilën e sheh si përgjegjëse të helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, edhe pse Moska e ka kundërshtuar me forcë diçka të tillë. Përveç përjashtimit nga vendi të 23 diplomatëve rusë, pjesë e përgjigjes së Britanisë ndaj Kremlinit, do të jetë mungesa e familjes mbretërore në ceremoninë hapëse të Kampionatit Botëror të futbollit që fillon në muajin qershor. Megjithatë, deri më tani nuk duket se skuadra e Anglisë do të bojkotojë këtë eveniment sportiv prestigjioz.