Italia ende pa qeveri
https://parstoday.ir/sq/news/world-i72380-italia_ende_pa_qeveri
Përpara nisjes së konsultimeve zyrtare per krijimin e koalicionit qeverisës në Itali, kreu i Lëvizjes 5 yjet përjashtoi mundësinë e afrimit me “Forza Italia” e Silvio Berluskonit, edhe pse deri vonë ishte shprehur i hapur për bisedime me të gjitha partitë pasi zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit nuk prodhuan dot një fitues të qartë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Prill 04, 2018 16:30 Europe/Tirane
  • Italia ende pa qeveri

Përpara nisjes së konsultimeve zyrtare per krijimin e koalicionit qeverisës në Itali, kreu i Lëvizjes 5 yjet përjashtoi mundësinë e afrimit me “Forza Italia” e Silvio Berluskonit, edhe pse deri vonë ishte shprehur i hapur për bisedime me të gjitha partitë pasi zgjedhjet e përgjithshme të 4 marsit nuk prodhuan dot një fitues të qartë.

Në një intervistë për televizionin La7, të patransmetuar ende të plotë, Luigi Di Maio e bëri të qartë se “5 yjet” janë të gatshme të bisedojnë me Partinë Demokratike, por jo me ish-kreun e saj Matteo Renzi dhe me Ligën e Veriut. Jashtë listës së tij mbetet në mënyrë kategorike “Forza Italia”. Një lëvizje e tillë do të shtojë sipas opinionistëve tensionet mes Ligës së Veriut dhe Partisë së Berluskonit, dy partneret e koalicionit që fitoi shumicën e votave në parlament. “Koalicioni është në piken e tij të fillimit”, shkroi Salvini në Facebook. “Ne do të hyjmë në bisedime me “5 yjet”, vazhdon ai, por nuk pranojmë as vetot e as komandat. Lëvizja e drejtuar nga Di Maio doli e dyta në zgjedhje, ndërsa si forcë e vetme politike, u rëndit e para. Askush nuk arriti sidoqoftë të siguronte mjaftueshëm vota sa për të qeverisur i vetëm. Pozicioni i “5 yjeve” e shton nga ana tjetër edhe trysninë mbi Partinë Demokratike, linjën e ashpër të të cilës për të mos arritur marrëveshjen me Lëvizjen Populiste e theksoi Renzi përpara se të jepte dorëheqjen në vazhdën e humbjes së thellë ne zgjedhje.