Zuckerberg pohon shkeljen e privacisë në Facebook
Pronari i rrjetit social Facebook ka pohuar shkeljen e privacisë së miliona përdoruesve të këtij sajti.
Mark Zuckerberg doli gati i pa lagur nga dëshmia para senatorëve, por raundi i dytë ishte më i ashpër. Themeluesi i Facebook u përball me pyetje të vështira mbi praktikat e grumbullimit të të dhënave nga kompania dhe nevojën për një rregullore të re, gjatë seancës 5-orëshe para Komisionit të Energjisë dhe Tregtisë në dhomën e përfaqësuesve. Kjo ishte seanca e dytë dhe e fundit dëgjimore, lidhur me skandalin e Cambridge Analitica, e cila e çoi në 10 orë, kohën totale të dëshmisë së tij në Capitol Hill. Zuckerberg përsëriti apologjinë e tij, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për shfrytëzimin e të dhënave të mbi 87 milionë përdoruesve, por hezitoi të jepte një përgjigje të vendosur përballë presionit të demokratit Frank Pallone, për t’iu përgjigjur me po ose jo pyetjes nëse do të ndryshonte opsionet e përgjithshme të Facebook, për të minimizuar grumbullimin e të dhënave. Themeluesi i platformës e cilësoi këtë një çështje komplekse që meritonte një përgjigje të përbërë nga më shumë se një fjalë. Për Pallonen përgjigja e tij ishte zhgënjyese. I shtyrë nga një deputete, Zuckerberg pranoi se edhe të dhënat e tij u janë shitur Cambridge Analytica, e lidhur me fushatën presidenciale të Donald Trumpit. Nuk përjashtohet mundësia që Facebook të ndjekë penalisht kompaninë londineze. Më pas 33-vjeçari u dakordësua me idenë e rregullatorëve për kompanitë e internetit, duke e përkufizuar këtë si një hap të pashmangshëm. Ndërsa u shpreh se ka përgjegjësinë morale në drejtimin e një platforme që mbron demokracinë, ai paralajmëroi ligjvënësit që të jenë të kujdesshëm me propozimet e tyre, pasi kompani të mëdha si Facebook-u kanë më tepër burime se sa kompanitë e vogla, për të respektuar rregullatorët. Ndër të tjera Zuckerberg ka thënë: “Jemi në një garë armatimi me Rusinë dhe ata do të përmirësohen gjithnjë e më shumë me kohën.” Shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg këtë deklaratë e bëri për senatorët amerikanë. Sipas themeluesit të rrjetit social, kompania e tij është në betejë të vazhdueshme me operatorët rusë të cilët kërkojnë të shfrytëzojnë jo vetëm sistemin e Facebook, por edhe të tjera sisteme të internetit. Zuckerberg konfirmoi se kompania tashmë po zhvillon mjete të reja për identifikimin e llogarive të rreme për të penguar punën e dëmshme të këtyre operatorëve rusë. Shefi ekzekutiv i Facebook zbuloi për senatorët amerikanë se stafi i kompanisë së tij është marrë në pyetje nga Robert Mueller, prokurori i posaçëm i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016. Zuckerberg shtoi se ai nuk ka qenë ndër personat e intervistuar nga zyra e zotit Mueller, ndërsa sqaroi se puna mes dy palëve është konfidenciale. Kujtojmë se hetimi i prokurorit të posaçëm ka ngritur akuza ndaj 13 shtetasve dhe 3 kompanive ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të dy viteve më parë, të fituara nga republikani Donald Trump.